Arsim me politikë apo politikë me arsim?

Seriozisht temën të cilën do ta shtjelloj është një temë shumë e rëndësishme e mjaft aktuale në vendin tonë, e sidomos në këtë kohë ku politika ka depërtuar në çdo sferë të jetës bile edhe në procesin e shenjtë arsimor, proces ky i cili është shpresa e jonë për një të ardhme më të ndritur.

Për ne fjala arsim do të thotë edukim,  marrje e diturisë, moral, shenjtëri e assesi nuk nënkupton politikë.

Ka thënë poeti ynë i njohur Sami Frashëri: “Nëse do të korrësh për një vit mbjell misër e grurë, nëse do të korrësh për 100 vjet mbjell arsim dhe kulturë”

Po pra vetëm të arsimuarit janë garanca për një të ardhme më të mirë, mirëpo jo të rinjtë që përpiqen për të bërë famë në popull dhe  vetëm për të marrë një diplomë, por të rinjtë që sakrifikojnë interesin e tyre personal për interesin e përgjithshëm, dhe ata të cilët përpiqen për dituri dhe pastaj me dituritë që i fitojnë shpërndahen në hapësirat e tokës për ta përhapur dritën e diturisë.

Në shek. XIX disa shkencëtarë në fushën e mjekësisë e sakrifikuan veten për njerëzimin, d.m.th eksperimentet e para në luftën kundër murtajës i bën në trupin e tyre. Mjeku anglez A. Uajt në fillim të këtij shekulli vetinjektoi në trupin e tij mikrobet e murtajës. U sëmurë dhe vdiq pas 8 ditësh. Ngjajshëm veproi edhe mjeku austriak  Alois Rozenfeld (i cili vdiq më 1817 nga murtaja burbonike). Duke vetinjektuar mikrobe të sëmundjeve të ndryshme në kërkim për gjetjen e ilaçit gjeti vdekjen pas shumë eksperimenteve edhe mjeku Italian Eusebio Vali. Për qëllime të zbulimit të etheve të verdha u sakrifikua edhe mjeku bakteriolog Xhes Llëzeri i cili pasi u kafshua nga mushkonja vdiq në moshën 34 vjeçe (më v. 1900). Kështu pra, nganjëherë duhet edhe të flijohet dikush, ashtu që frytet t’i shijojnë brezat që vijnë pas.

Shpesh në praktikë i dëgjojmë bashkëmoshatarët dhe studentët të demoralizuar dhe të demotivuar duke thënë: Nuk mësojmë për arsye se ato të diplomauarit rrijnë në shtëpi, ndërsa ata të padiplomuarit hyjnë nëpër vendet e punës. Të gjithë këtë të nderuar kush e solli: pra këtë e solli e ashtuquajtuara politika.

Politika aktualisht është i vetmi terren ku edhe askushi mund të bëhet dikushi, ku çohen peshë edhe njerëzit pa peshë. Politika është shëndruar në zdhdërvjelltësi që nga të pasurit të vjidhen paratë (kryesisht përmes tenderave dhe fëlliqësirave tjera), kurse nga të varfërit votat. Me politikë merret gjithkush, por pothuajse se askush në mënyrë adekuate.

Të nderuar që kur politika i futi duart në arsim humbi kriteri i meritokracisë. I padituri mund të bëhet milioner, kurse njeriu i arsimuar mund të bëhet skamnor. I paditur me më shumë pasuri edhe në mungesë aftësie mund të përparojë më shumë se një i ditur i cili është i varfër materialisht.

Shumica me poste partiake dhe qeveritare ia mësyjnë univerziteteve pasi i zënë postet për të marrë një diplomë fakulteti, e në rastet më ekstreme edhe ndonjë titull “shkencor”. Të gjitha këto bëhen sa hap e mbyll sytë me qindra intervenime dhe dhënie korrupcioni. Në këtë mënyrë fatkeqësisht po na shtohen kuadrot pseudoshkencor jokualitativ, dhe gjysmëanalfabetët e diplomuar e me tituj shkencor, të cilët siç thamë edhe më parë luftojnë për diplomë-letra, e shumë pak për dituri, e ç’është më e keqja disa i blejnë ato. Pikërisht këto janë ata që nxjerrin kuadro jokualitativ të nxënësve dhe studentëve të cilëve nuk iu intereson gjendja e popullit.

Nga viti 2001 e këndej edhe në arsimin fillor e të mesëm  punët filluan të shkojnë sipas të njejtit skenar. Aspektin pedagogjik e ka zëvendësuar ai demagogjik. Mësimdhënia e mirëfillti u shndërrua në mësimdhënie formale. Sa i takon kriterit të vlerësimit, thuajse fare nuk egziston. Përsëritja e nxënësve thuajse është hjekë nga procedura…. E kjo është e dhimbshme dhe shumë e dëmshme dhe ata që nuk e kanë kuptuar, shpejt do ta kuptojnëpor, por do të bëhet shumë vonë.

Nga ana tjetër interesimi i prindërve është shumë i vogël , për të mos thënë se s’ju intereson fare. Ata interesohen vetëm për të përmirësuar nota, kurse sa i takon mësimit nuk duan t’ia dijnë. Ndërsa më e keqja e gjithë kësaj është se kur ka tubime partiake apo siç janë të njohura tek ne mitingje partiake nxënësit i braktisin orët mësimore për të marrë pjesë në ato tubime. E çfarë të ardhme presim në këtë vend ku politika ka përparësi më të madhe se dituria!

Nëse analizojmë disa të dhëna historike të pushtetarëve të vjetër do të shohim se çelësi i suksesit të tyre ishin vetë edukatorët dhe mësuesit e tyre. Një dijetatar kishte thënë: Mos kishte qenë një Ak Shemsedin (Mësuesi i Mehmet el Fetih), një Mehmet el Fetih nuk do të ishte. Pra Mehmet el Fetih e kishte kuptuar vlerën e diturisë dhe rëndësinë e profesionit mësues prandaj fitoi shumë luftra dhe beteja, dhe më kryesorja arriti ta çlirojë edhe Stambollin.

Ne jemi për të thënë se mjaft më politika u kyç në sferën e arsimit, dhe se ka ardhur koha që politikën ta udhëheqin njerëzit e arsimuar të cilët kanë aftësi dhe janë kompetent për disa fusha të caktuara sepse ka thënë Muhammedi s.a.s (Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të): “Amaneti humbet kur një post i jepet atij që nuk është kompetent”.

Këto fjalë që i ceka më lart iu përshtatet një tregim i një autori shumë modest i cili kishte thënë po citoj: Në një komunë të thellë kishte një kryetar, po s’kishte sekretar. Pas shumë kërkesave për një sekretar, më në fund emëruan një.

Ditën e parë të punës, sekretari i ri pinte duhan, ditën e dytë pinte duhan, dhe ditën e tretë pinte duhan. Po t’i, – i tha kryetari,- lexo njëherë rregulloren dhe shkruaj përgjigjet.

Mua s’më kanë thënë për një gjë të tillë; unë nuk di të shkruajë, as të lexojë. – Si ore?

Kryetari i alarmuar nga ky fakt i dërgon një letër urgjente ministrisë së brendshme. Pas disa ditësh merr përgjigjen: “Meqë sekretari nuk di të shkruajë dhe të lexoj të bëhet kryetar dhe kryetari të bëhet sekretar”.

Fatkeqësisht kështu është në vendin tonë, i padituri bëhet kryetar, ndërsa i dituri sekretar në rastet më esktreme në Maqedoni edhe pastrues. Kjo ishte sa për t’iu motivuar juve të nderuar që të zgjohemi dhe të punojmë, sepse vetëm ne mund ta nxjerrim popullin tonë nga errësira në dritë. Nëse unë nuk digjem, nëse ti nuk digjesh, nëse nuk digjemi të gjithë, atëherë errësira si mund të bëhet dritë?

Së pari duhet të digjemi individualisht pastaj edhe koliktivisht që të dalim nga errësira në dritë. Një fjalë e urtë filozofike thotë: Mos rrini duke e sharë errësirën, së paku që mund të bëni, është ta ndezni një qiri. I tërë terri i botës nuk mund ta mbuloj dritën e një qiriu të vogël. Pra mos të rrijmë vetëm duke pritur që të tjerët terrin të na e bëjnë dritë. Të ecim, të mësojmë, të punojmë që për të tjerët ta bëjmë dritë, këtë e kemi obligim.

“Nga marinari i anijes nuk varet se a do të fryejë era, por prej tij varet se a do të hapen velat” ka thënë Rozhe Garodi.

Porosia ime për të gjithë ne rininë është që të arsimohemi sa më shumë sepse arsimimi është fizionomia e një kombi, ai është letërnjoftimi i një populli. Edhe populli i vogël është i madh kur është i ditur dhe i arsimuar. Rreziku më i madh për një komb është kur intelegjenca e tij fle, zhbëhet, degjenerohet dhe humb.

Lajme të ngjashme

Back to top button