Alojz Peterle: Problemi i emigrantëve, arsye për përshpejtimin e integrimit të Maqedonisë në BE

Anëtarët e zyrës së Komitetit të Përbashkët Parlamentar të Republikës së Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian realizuan një takim në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë, ku bashkëkryesuesit e komitet biseduan për aktivitetet e ardhshme, si dhe për gjendjen aktuale në vend pas nënshkrimit të marrëveshjes së 15 korrikut për dalje të vendit nga kriza politike, raporton Anadolu Agency (AA).

Bashkëkryesuesi i komitetit të përbashkët, Alojz Peterle, ndodhet në Shkup i shoqëruar nga zëvendësit e tij Sergei Stanishev dhe Angel Dzhambaski. Ata fillimisht u takuan me deputetët Kenan Hasipi dhe Artan Grubi, bashkëkryesues dhe zëvendës kryesues të komitetit, ndërsa më vonë delegacioni i eurodeputetëve zhvilluan takim edhe me anëtarët e tjerë të Komitetit të Përbashkët Parlamentar. Bashkëkryesuesit e komitetit Alojz Peterle dhe Kenan Hasipi, pas përfundimit të takimit mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.

Deputeti nga Parlamenti Evropian, Alojz Peterle, në fjalën e tij theksoi se në Bruksel është përshëndetur marrëveshjen e 15 korrikut e arritur me ndihmën e eurokomisionerit Johannes Hahn dhe tre deputetët e Parlamentit Evropian. “Jemi të kënaqur që është ndryshuar klima politike në Maqedoni. Ky është një moment i një zhvillimi të ri mes nesh. Tani për tani e rëndësishme është që këto muaj marrëveshja të zbatohet”, u shpreh ai.

Peterle shtoi se në këtë momente Maqedonia nuk është e vetme në këtë rrugë, por ka edhe ndihmën e eksperteve dhe mbështetje politike për të gjitha aktivitetet që duhet të zbatohen. “Situata e sigurisë në rajon nuk është plotësisht e qëndrueshme dhe Maqedonia përballet me problemin më të madh kur bëhet fjalë për emigrimin. Mendoj se kjo është një arsye më shumë për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, por edhe në NATO”, deklaroi Peterle.

Në pyetjen në lidhje me parashikimet për mundësinë e bllokimit të procesit politik, eurodeputeti Alojz Peterle, u përgjigj se nuk është i kënaqur me bllokadën e dialogut politik në vend. Sipas tij, nuk ka shenja për të bllokuar marrëveshjen, pasi që siç u shpreh ai, të dy anët kanë shprehur pozitivitetin e tyre për marrëveshjen.

Deputeti nga Republika e Maqedonisë, Kenan Hasipi, i cili është bashkëkryesues në Komitetin e Përbashkët Parlamentar, theksoi se në takim në mënyrë të qartë i ka shprehur pritjet për atë se do të zbatohen dispozitat e marrëveshjes së arritur politike brenda afateve të parashikuara, me qëllim që vendi të merr një raport pozitiv.

“Mbetet për të zbatuar angazhimet në mënyrë që të rifitojmë rekomandimin për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, u shpreh Hasipi.

Lajme të ngjashme

Back to top button