Kur zgjohesh…

Mik i mirë është pikërisht ai që nuk flet gjëra sa për të ta mikluar sedrën, por në momente kyçe ti hap sytë që të fillosh të shikosh realisht, ti largosh ato syze të qejfit që ta ngjyrojnë botën përreth me bukurinë e rrezikshme të iluzioneve. Sa më gjatë që përkundesh në kolovajzat e paqena, aq më e zorshme bëhet zbritja në tokë, të merren mendtë nga lartësitë ku nuk është dashur të ngjitesh. Prandaj shpejto të zbresësh ngadalë.

Po pse, e dashur aq u preke pas bisedës me atë mik që ti tha gjërat troç!?

Pra, nëse nga ky mik i çmuar ke kuptuar përfundimisht se as ti vetë nuk don që i dashuri yt të kthehet në jetën tënde dhe të vazhdojë ta komplikojë atë me hamendjet e veta të vazhdueshme, me dilemat kronike sot don-nesër s’don, atëherë mendoj se kjo është për t’u gëzuar, jo për të qarë! Jam e bindur, nga gjithë muhabetet që kemi bërë në këtë temë, se ka kohë që ti, pak a shumë, e ke të qartë se ky i dashur pa karar dhe pa kible nuk të sjell as rahati e lere më ndonjë ngazëllim shpirtëror. Sot pas bisedës me mikun, ti vetëm e ke vetëdijësuar këtë fakt.

Çfarë të keqe ka këtu?

Deshi Zoti të të shpëtojë prej atij të llastruari.

Çfarë dënimi do kishte qenë të jesh me të, lere më të jetoni bashkë. Jeta e përbashkët, për mendimin tim, është një biznes vetvetiu i komplikuar edhe për ata që duket se përshtaten, e jo më për dy veta kaq të ndryshëm si ju të dy.

Sikur të isha në vendin tënd do vendosja embargo të rreptë për çfarëdo bisedimi dhe thuaja me asnjë kusht nuk do isha takuar me të; çfarë do ti sqarosh njeriut që nuk diti fare të sillet njerëzisht me ty? Do vijë momenti kur do mund t’ia thuash atë që duhet thënë, koha do ti destilojë të panevojshmet, do ta redaktojë tekstin më mirë se sa që mund ta bësh ti tash.

Kryesorja: mos harxho më as minuta për ta menduar.

Fillo ta mësosh veten me tjetër model të të menduarit.

E di, do i thuash vetes “sa kollaj i japim këshilla tjetrit dhe sa zor e këshillojmë veten”, ashtu si ka thënë ndoshta dikush kur ti ke qenë në pozitë ti japësh nasihate.

Tash sigurisht thua “më lehtë është të thuhet se sa të bëhet”, por nëse vazhdon këmbëngulësisht t’ia përsërisësh këtë vetes, si një lloj mantre shpëtimtare, edhe atëherë kur të vjen rëndë edhe atëherë kur të duket e pamundur, kjo mund të konsiderohet si hap i parë që ti kthehesh vetvetes.

Vetvetja është pikënisja.

Është çelsi. Formula unike që zgjedh çdo të panjohur, edhe kur të duket si rebus i pazgjidhshëm.

Ti vetëm bëhu pak më proaktive ndaj vetvetes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button