Komente dhe analiza lidhur me marrëveshjen e liderëve të Maqedonisë

Pas disa takimeve më në fund u arrit marrëveshje mes Liderëve të partive më të mëdha politike në Maqedoni, ku mes tjerash u dakorduan definitivisht që zgjedhjet e parakohshme të mbahen më 24 prill 2016, në shtator të emërohet Prokuror Special publik i cili do të merret me rastin e përgjimeve si dhe në mesin e muajit shtator opozita të kthehet në Kuvend.

Njohësit e çështjeve politike e komentojnë marrëveshjen, duke thënë që është mirë që liderët gjetën kompromis, por megjithatë shprehen skeptik se si do të realizohet ajo.

 Musliu: Realizimi i marrëveshjes varet nga mekanizmat imponues

Analisti Albert Musliu thotë se kjo marrëveshje duhet të shikohet hollësisht si dhe realizimi i saj me sukses varret nga mekanizmat që do përdoren.

“Kjo marrëveshje duhet të shihet në kontest të plotë e pastaj të diskutohet. Nuk e di sa i përket asaj se çfarë rezultati do të jep, varet se çfarë mekanizma imponues ka, çfarë sugjerimesh, sa është procesi i kontrolluar nga ndërkombëtarët, nëse ky i fundit është në nivel atëherë mund të them se të gjitha partitë janë të barabarta para zgjedhjeve. Mangësi është që periudha është shumë e shkurtër dhe nuk besoj që dallimi do të jetë shumë i madh nga zgjedhjet e kaluara”, tha për Portalb, Musliu.

Ai shtoi se kësaj radhë është bërë kompromis sepse asnjëra palë nuk është e kënaqur.

“Çdo subjekt politik shqiptar duhet më rreptë ti mbrojë dhe të kërkojë të drejtat. Që 25 vite kërkohet barazi po çdo tendencë kundër saj nuk kundërshtohet aq sa duhet nga subjektet politike shqiptare. Këtu është bërë kompromis, do të thotë që asnjëra palë nuk është e kënaqur, por kanë gjetur disa pika dhe kanë rënë dakord për të dalë nga kriza”, shtoi Musliu.

Neziri: Garanca e SHBA dhe BE për zgjedhje demokratike më bën optimist

Analisti politik Xhelal Neziri thotë për Portalb se është optimist lidhur me këtë marrëveshje pasi që ëshë garantuar nga SHBA dhe BE.

“Jam optimist se kjo marrëveshje, e garantuar nga SHBA dhe BE, do të sigurojë terren korrekt për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Aty votuesit do të duhet lirshëm ta shprehin vullnetin e tyre. Pjesa tjetër e marrëveshjes, që ka të bëjë me prokurorin e ri për procesuimin e rasteve të korrupsionit, poashtu është një shenjë e mirë se ata që janë pasuruar me tatimet tona do të përgjigjen para gjyqit. Këto dy aspekte janë të rëndësishme si për maqedonasit, si për shqiptarët”, tha Neziri.

Ai shtoi se kriza kishte karakter politik, e jo ndëretnik.

“Kriza kishte karakter politik, e jo ndëretnik, andaj edhe zgjidhja apo marrëveshja nuk mund të analizohet nëse nga ajo kanë përfituar apo humbur vetëm maqedonasit ose vetëm shqiptarët. Nga ky aspekt do ta analizojmë marrëveshjen pas 24 prillit, pra atë të formimit të koalicionit të ardhshëm qeverisës”, shtoi Neziri.

Bilalli: Rëndsi të madhe ka Prokuroi Special

Profesori universitar Mersel Bilalli shprehet për Portalb se realisht çështje kyçe që vlen në këtë marrëveshje është emërimi i prokurorit special, i cili do te duhet t’i hulumtojë dhe procesuoj të gjitha dyshimet që i kemi dëgjuar.

“Mendoj se me nënshkrimin  e kësaj marrëveshje ndodhin dy procese. E para, relaksimi i opinionit i cili me tensionim këto muaj ka përcjell çdo gjë politike. E dyta, objektivisht hapet një faqe e re në ambientin e gjithmbarshëm politik të RM. Duke anashkalua deklaratat partiake të cilat më tepër kanë për qëllim të ushqejnë sa më shumë përkrahës dhe simpatizant, realisht çështje kyçe që mendoj se vlen në këtë marrëveshje është emërimi i prokurorit special, i cili do te duhet t’i hulumtoj dhe procesuoj të gjitha dyshimet që i kemi dëgjuar apo s’arritëm t’i dëgjojmë. Këta me siguri se do të shkaktojnë dridhje serioze dhe epilogje interesante në ambienti politik të Maqedonisë”, tha Bilalli.

Ai shtoi se nuk përjashtohet mundësi që të ketë edhe burgosje para zgjedhjeve dhe ato do të ndikonin në orientimin e drejtpërdrejte të proceseve politike në vend. Madje sipas tij ato do të përcaktojnë edhe fituesin në zgjedhjet e ardhshme.

Ndërkaq nga 15 janari i vitit 2016 do të emërohet një kryeministër i ri ndërsa deri në zgjedhje LSDM-ja do të hyjë në 5 ministri. Kjo parti do ta udhëheq ministrinë e punëve të brendshme dhe ministrinë për punë dhe politikë sociale. Zëvendës ministra nga radhët e LSDM-së do të ketë në ministrinë e financave, bujqësisë dhe shoqërisë informatike ndërsa do të kenë edhe të drejtë vetoje./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button