RDK: Parkimi zonal në Gostivar është jo i ligjshëm

Grupi i këshilltarëve të Rilindjes Demokratike Kombëtare, në seancën 21 të Këshillit të Komunës së Gostivarit, e konsideruan si jo të ligjshëm parkimin zonal që tashmë është duke u implementuar për disa muaj radhazi në shumicën e rrugëve të Komunës së Gostivarit. I gjith ky debat erdhi si rezultat i një pike të rendit të ditës të Këshillit të Komunës së Gostivarit, ku Komuna e Gostivarit tani fillon me krijimin e një ndërmarrje të re publike të Komunës së Gostivarit që do të merret me menaxhimin e parkingjeve dhe gjelbërimit, ndërsa parkimi zonal me partneritet publiko-privat është duke funksionuar në Komunën e Gostivarit mbi pesë muaj të plotë.

Këshilltarët e RDK-së theksuan se parkimi zonal duhet menjanuar menjëherë sepse i njëjti është duke funksionuar në mënyrë ilegale për më tepër se 5 muaj. Këshilltarët e RDK-së e argumentuan këtë me faktin se organi i vetëm që mund të jep leje për partneritet publiko-privat është vetëm Këshilli komunal, ndërsa ky këshill asnjëherë deri më tani nuk ka sjellë një vendim për partneritet publiko-privat, ndërsa Komuna e Gostivarit sëbashku me Ndërmarrjen Publike Komunale këtë e kanë bërë në mënyrë ilegale duke ja dhënë këtë partneritet kompanisë private Duna Computers. Këshilltarët RDK-së potencuan se do të ngrehet edhe fletparaqitje penale në organet gjegjëse të vendit për këtë manipulim të madh që është bërë në emër të Këshillit komunal. Në të njëjtën kohë, arsyeja e sjelljes së parkimit zonal ishte rregullimi i kaosit në komunikacion, ndërsa tani të gjith jemi dëshmitarë se parkimi zonal ka krijuar kaos edhe më të madh në komunikacion, dhe për këtë të gjithë jemi dëshmitarë.

Këshilltarët e RDK-së në këshillin e Komunës së Gostivarit debatuan gjithashtu edhe për ndryshimet e mëdha radikale në programën zhvillimore për vitin 2015, duke larguar dhe shtuar shumë projekte nga programa zhvillimore origjinale, vetëm 4 muaj para përfundimit të vitit kalendarik që është një argument i fuqishëm i mosplanifikimit adekuat dhe propagandës që nënkupton përgaditje për zgjedhje të parakohshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button