Ziadin Sela realizon takim me ekspertin amerikan David L. Phillips

David L. Philips ekpert i politikës së jashtme, këshilltar i lartë në Departamentin e Shtetit Amerikan, aktualisht Drejtor i programit për të drejtat e njeriut dhe ndërtimin e paqes, në Universitetin e Kolumbianës, ka qënë mysafir i kryetarit të Lëvizjes për Reforma-PDSH, Ziadin Sela.

Philips ka qënë këshilltar i lartë në OKB dhe një studiues i shquar në sferën e të drejtave të njeriut.
Vizita e tij në Maqedoni ka të bëjē me një studim të tijin lidhur me situatën në Maqedoni dhe me ngecjen e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Në takimin shumë miqësor, realizuar në Strugë, Ziadin Sela dhe David Philips biseduan gjërë e gjatë mbi krizën politike në Maqedoni, për dështimin e garniturës aktuale qeverisëse në implementimin e MO-së, misionin e ri të ndërmarrë nga opozita shqiptare si dhe për nevojën e një marrëveshjeje të re politike në Maqedoni.

Kryetari i LR-PDSH-së, njoftoi profesorin amerikan në lidhje me hapat që subjekti që ai përfaqëson i ka marrë dhe do ti marrë në të ardhmen. Sela sqaroi se përse është e patjetërsueshme një marreveshje e re politike, si zgjidhje e vetme për interesin shqiptar.

Eksperti Philips, përshëndeti bashkëpunimin e nisur mes LR-PDSH-së dhe RDK-së, duke theksuar se aleanca të tilla si Aleanca për Shqiptarët janë gjithmonë të mirëpritura në politikën moderne, gjithmonë nëse të tillat janë në interes të demokracisë dhe qytetarëve.

Ekperti David Philips ishte i mendimit se në Maqedoni ka ngecje sa i përket lirisë dhe të drejtave themelore të qytetarëve me avancimin e të cilave do të duhej të merrej qeveria e ardhshme e zgjedhur në zgjedhje demokratike.
Philips me vëmendje dëgjoi Selën në elaborimin e situatës politike në vend dhe e falenderoi atë për mikpritjen dhe kohën e ndarë për të biseduar për çështjet që Philips-it i interesonin në lidhje me studimin e tij.

Lajme të ngjashme

Back to top button