Maqedoni, krizë e vështirë me epilog pesimist

Ngjarjet e fundit në Maqedoni detyruan euro- komisarin Johanes Han si dhe ndihmës sekretaren e shtetit të SHBA-së për Evropë dhe Euroazi, Viktoria Nuland të vizitojnë liderët me qëllim zgjidhjen e krizës politike.

Njohësit e çështjeve politike shprehen për Portalb se marrëveshje do të ketë, por nuk besojnë që ajo do të arrihet së shpejti.

Analisti Mersel Bilalli thotë se të besosh në Gruevskin për rend e drejtësi është njësoj sikur të besosh në atë se Koza Nostra më së miri e lufton krimin e organizuar

“Marrëveshje do të ketë. Tani apo më vonë dhe kjo s’ka dilemë. Por, fakt është se Gruevski është i talentuar ato t’i shpall toalet-letër. Të besosh në Gruevskin për rend e drejtësi është njësoj sikur të besosh në atë se Koza Nostra më së miri e lufton krimin e organizuar. Opozita muajve të shkuar ka bërë një seri gabimesh duke u mbështet për së tepërmi në faktorin e jashtëm dhe duke margjinalizua radikalizmin e masës. Ajo tani i kushton pozicion. Gruevski bleu kohën kritike për te dhe tani ndjehet shumë ma komod. Aq më shumë kur afër vetit ka edhe dy partitë shqiptare, të cilat më lehtë do të kishin shkurtua kokat e veta se sa Gruevskit t’ia shkurtojnë mandatin”, tha për Portalb, Bilalli.

Ai shtoi se duhet hedhur poshtë edhe atë se Maqedonia do të destabilizohet poqëse Gruevskit i bëhet trysni më e madhe.

“Po ashtu duhet hedhur poshtë edhe atë se Maqedonia do të destabilizohet poqëse Gruevskit i bëhet trusni më e madhe. Kjo është pjellë e kuzhinave gebelsiste që ka qëllim mbijetesën e Gruevskit duke e faktorizuar të njëjtin. Opozita duhet të del me qëndrim se një tezë e tillë është ofenduese për të gjithë në shtet, pasi çfarë populli do të ishte ai që destabilizon shtetit që të mos dëmtoj krimin qeveritar! Ai s’meriton as të ketë shtet. Apeloj te Shqiptarët që gjer në fyt janë në mëkate. Të pushojnë t’i japin infuzion Gruevskit, pasi  shumë shpejt mund të jenë të barabartë me Gruevskin në më të zezën e historisë”, shtoi Bilalli.

Profesoresha e Institutit për hulumtime sociologjike dhe politiko-juridike Mirjana Najçevska thotë se për momentin është shumë rëndë të konstatohet diçka lidhur me arritjen e marrëveshjes apo diçka të tillë.

“Gjegjësisht sipas asaj që ekziston si eksperiencë në vendet e zhvilluara demokratike, dhe mënyra se si ballafaqohen dhe zgjidhin kriza të këtij lloji, deri më tani qeveria do të duhej të dorëhiqej dhe të formohet një qeveri kalimtare dhe të formohen reforma të rrepta në pikat kryesore të sektorit qytetarë të cilat i kërkon tani më një kohë të gjatë edhe shoqëria ndërkombëtare. Situata aktuale është  e palogjikshme dhe në kundërshtim me atë që duhet bërë për të zgjidhur kriza politike, juridike dhe ekonomike dhe për këtë nuk mund të jepet një përgjigje lidhur me atë se si mund të shkojnë punët. Mendoj që në këtë moment nuk ekzistojnë masa të vërteta politike të cilat mund të përdorën në drejtimin e zgjidhjes së krizës”, tha për Portalb, Najçevska.

Kohë më parë kryeministri Nikolla Gruevski i pyetur nga gazetarët lidhur me takimin e liderëve deklaroi se ai do të realizohet ketë kur do të krijohen kushtet për këtë gjegjësisht kur do të ketë nevojë.

“Ka diskutim, komunikim, po zhvillohen bisedimet që të arrihet ndonjë marrëveshje, është e nevojshme që të ketë pajtueshmëri. Tani për tani diçka të tillë s’ka” tha Gruevski.

Kurse kryetari i LSDM-së Zoran Zaev kohë më parë tha se bisedimet janë të pasuksesshme, dhe se nuk janë të mundshme zgjedhje të lira dhe demokratike me Gruevskin në Qeveri.

“Nuk janë të mundshme zgjedhje të lira dhe demokratike me Gruevskin në Qeveri. Do të vazhdojmë të veprojmë në të gjitha mënyrat, ligjore dhe demokratike. Projekti e vërteta për Maqedoninë do të vazhdojë”, tha Zaev.

Lajme të ngjashme

Back to top button