Lëvizja për Reforma: 55 punësime në Prokurori, asnjë shqiptar, sjellje ksenofobike e qeverisë BDI-VMRO!

Departamenti Juridik i Lëvizjes për Reforma – PDSH ka mbajtur sot një konferencë për media përmes së cilës ka kritikuar punësimin njëetnik në Prokurori dhe sektorë të tjerë.

Sipas anëtarit të këtij Departamenti Abidin Abduli sipas të dhënave të Prokurorisë së Përgjithshme, në këtë prokurori dhe në sektorë të saj janë realizuar 55 punësime, nga të cilat asnjë shqiptar.

“Jo vetëm që nuk janë të përfillur shqiptarët, por edhe janë të nënçmuar nga zv/kryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ministri shqiptar i drejtësisë, të cilët po rrënojnë përcaktimin për përfaqësimin e drejtë dhe institucional të shqiptarëve”, tha Abduli.

Sipas tij, kjo është një ksenofobi e cila mban tiketën e bashkëqeverisjes BDI- VMRO , që flet për diskriminim të hapur të profesionistëve shqiptar në sferën e juridiksionit për të mos qenë pjesë e ndarjes në drejtësisë në një sektor që duhet definitivisht të jetë i de-politizuar e me përfaqësim profesional dhe adekuat.

“Reagimi ynë del edhe  për vetë faktin se pikërisht nga Prokuroria e përgjithshme janë marrë shumë Vendime të cilat më pas kanë rezultuar me gjykime të padrejta  ndaj shqiptarëve, si rasti Monstra, Sopoti, etj.

Apelojmë, që kjo formë e punës të ndërpritet si e tillë, të rishqyrtohet si çështje ngaqë, në të kundërtën do të informojmë me kohë faktorët relevantë ndërkombëtarë; si: OSBE,BE,,HUMAN Rights , etj”, tha Abduli në konferencën e sotme për media.

Lajme të ngjashme

Back to top button