Gazetarët duhet të konsultojnë edhe palën tjetër

Mediet gjithmonë në një tekst gazetaresk duhet të kenë dy palët. Gazetari duhet tu japë hapësirë palëve që përfshihen në tekst që ti sqarojnë qëndrimet e tyre. Ndërkohë rendja për të botuar sa më shpejtë lajme që merren nga portale në gjuhë të tjera nuk justifikon mospërmbushjen e këtij parimi.

download (6)Linku deri te artikulli origjinal: “Mitevski: Jankullovska urdhëroi përdorimin e helikopterëve me bomba në Kumanovë”

Data dhe koha e publikimit: 02.07.2015

Data e recenzionit: 04. 07. 2015

Recenzent: Xhenis Sulimani

 

Interesi për lajmin që po recensojmë është i madh. Pas ngjarjeve në Kumanovë publiku me të drejtë dëshiron të informohet për detajet e tjera. Por lajmi është marrë nga një portal në gjuhën maqedonase dhe në lajm kemi njërën palë. “Ish-ministrja Gordana Jankullovska urdhëroi përdorimin e helikopterëve të pajisur me bomba, që është në kundërshtim me rregullat për përdorimin e forcës proporcionale në një zonë të banuar urbane, siç është Lagjja e Trimave, ka vlerësuar ish-shefi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Goran Mitevski, në një deklaratë për portalin Kirilica”.

Qëndrimin i ish-shefit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim është me shumë interes, sepse si një zyrtar i lartë ai mund të ketë informacione që zgjojnë interesin e publikut dhe me të drejtë deklaratat e tij mund të përbëjnë lajm. Por megjithatë ato janë vetëm njëra anë, tekstit i mungon qëndrimi i Gordana Jankullovskës, tani ish Ministre e Brendëshme, apo dhe vetë Ministrisë së Brendshme.

Një raportim i këtillë shihet si i njëanshëm. Pavarësisht qëndrimeve dhe dyshimeve të konsiderueshme në publik, sërish lajmi që përmban një akuzë duhet të ketë të reflektuar edhe të akuzuarin.

Nëse akuzojmë dikë për papërgjegjshmëri atëherë kodi etik i gazetarisë na mëson që duhet tu japim hapësirë edhe atyre të sqarojnë qëndrimet e tyre, në mënyrë që lajmi të jetë i plotë të përmbajë të gjitha palët dhe të jetë sa më i qartë për lexuesin.

Kjo duhet bërë edhe kur informacioni paraprak merret nga medie të tjera. Nuk mbetet pa përgjegjësi profesionale media apo gazetari që përcjell një informacion nga medie tjetër, pa e verifikuar apo pa e balancuar kur është e qartë lajmi ka nevojë për një gjë të tillë.

Lajme të ngjashme

Back to top button