Ramazani, heshtje e trupit për ta dëgjuar zërin e shpirtit

Na është bërë më e zakonshme idea që jemi të zënë. Çdokush është i zënë, çdo ditë, me diçka. Çdo ditë kemi një rutinë fikse që e ndjekim, hap pas hapi. Ngritemi, punojmë, flasim me njerëz e për njerëz, lodhemi dhe biejmë në gjumë. Kemi aq shumë për të bërë. Një punë për ta punuar, mësime për të ndjekur, fëmijë për t’u kujdesur, fatura për të paguar, derën e prishur për ta ndreçur, daljen me shoqëri për qenë aty, llogaritë e fundmuajit për t’i bërë, .. e çka jo! Jetojmë jetë të stërngarkuara me detaje e imtësira që kërkojnë tërë vëmendjen tonë. Dhe jemi mësuar me këtë fakt, e kemi pranuar si mënyrën tonë të jetesës. Por, rrallë ndalemi të shohim cilat janë implikimet e një tempoje të tillë të të jetuarit; efekti i një stili të tillë të jetesës në vetet tona, në botën tonë të brendshme, në shpirtrat tanë.

Është e qartë se kjo mënyrë e të jetuarit e zhvendos fokusin e përditshmërisë sonë nga e rëndësishmja jo urgjente, në më pak të rëndësishmen, por urgjenten. Pra, duke u marrur me imtësirat e përditshmërisë që nuk presin, lëmë pas dore gjëra më të rëndësishme e domethënëse. Harrohemi në përmbushjen e nevojave imediate, fizike, trupore, tokësore dhe nuk kemi kohë për ta ushqyer pjesën ‘qiellore’ brenda nesh. Ramazani është koha e përkryer për të reflektuar mbi këtë realitet dhe për të mësuar si të vendosim kontrollë mbi të, pa mos hequr dorë nga ai tërësisht, dhe pa e lënë atë të marrë kontrollë tërësore mbi ne. Kjo sepse Ramazani është kohë kur gjithsecili me vetëdëshirë heq dorë nga përmbushja e nevojave të mishit, për t’i plotësuar nevojat e shpirtit. Dhe ky është pikërisht qëllimi thelbësor i Ramazanit, i definuar nga vet Ai që e ka krijuar Ramazanin dhe ata që agjërojnë në të.

Në Kur’an na është dhënë definicion i qartë i qëllimi të agjërimit me fjalët: “O ju që keni besuar, agjërimi ju është bërë obligim, ashtu siç iu qe bërë obligim atyre që qenë para jush, që të bëheni të devotshëm.”(Bekare, 183)  Pra, qëllimi esencial i Ramazanit është arritja e shkallës së devotshmërisë, ose më sakt, e takvasë, që në fakt është gjendje shpirtërore në të cilën njeriu arrin nivel të lartë të vetëdijes mbi realitetin e Allahut, e që manifestohet me ndjekjen e përpikët të urdhëresave dhe largimin nga ndalesat e Tij. Prandaj Ramazani është muaji i shpirtit, sepse shpirti është ai që e arrinë takvanë. Shpirti është ai që ka aftësinë për t’u ngritur mbi iluzionin mashtrues të ekzistencës së përkohëshme dhe për t’i parë të vërtetat e Allahut, thesare të fshehura të cilat nuk i gjen veçse shpirti që është ndriçuar.

Por, për ta arritur këtë, shpirti duhet të ushqehet. Dhe për ta bërë këtë duhet filluar me kthimin e vëmendjes sonë nga ai, duke e bërë atë qendër të kujdesit tonë. Pastaj mbi të gjitha, shpirti është vet vetja jonë. Ramazani është koha e përkryer për ta bërë hapin e parë në këtë drejtim. Kjo sepse siç thamë më lart, në Ramazan njeriu vullnetshëm heq dorë nga plotësimi i nevojave të trupit me çka vetvetiu forcohet vullneti për t’i bërë ballë nxitjeve fizike karshi nevojave shpirtërore. Përderisa agjëron, njeriu heq dorë nga nevojat themelore trupore, me këtë, sikur i thotë trupit të heshtë sepse nuk është më në plan të parë. Kur zëri i trupit të cilin e dëgjojmë e i bindemi gjatë një viti të tërë, hesht, atëherë në qetësi, nis të dëgjohet zëri i shpirtit.

Pastaj, përgjatë Ramazanit kalojmë më shumë kohë zgjuar natën, duke bërë adhurime, qoftë namaz, lexim i Kur’anit, a dhikër. Kjo është edhe një nga arsyet pse Ramazani është zgjues i shpirtit në ne. Në kaptinën ‘El Muzemmil’ (“I mbështjelli”), Allahu i thotë: “Ngrihu për falje natën, përveç një pjese të vogël të saj…Ne do të shpallim ty fjalë të rëndë (të madhe). E s’ka dyshim se aktiviteti i natës është fuqizues dhe fjalë më e qartë.” (Muzemmil 2, 5-6) Këto ajete na e bëjnë të qartë efektin e adhurimit të natës, atëherë kur ushëtimat e botës që na rrethon zbehen dhe kur zëri ynë i brendshëm është më i kthjellët. Kjo gjendje është parakusht për të arritur të kuptuar të shëndoshë të të vërtetave hyjnore. Ky fakt na bëhet me dije me atë që ajetit që flet mbi vlerën e adhurimit të natës, i paraprinë ajeti që paralajmëron se udhëzimi që vjen nga Allahu është “fjalë e rëndë”, pra, këtë fjalë të “rëndë” (të madhe) mund ta kuptosh vetëm duke e kristalizuar zërin e brendshëm, që në fakt të vërtetën e ka të brumosur ne vete që nga zanafilla, porse i duhet përkujtim. Ramazani është mundësi ideale për të qenë në një gjendje të tillë dhe për t’i parë të vërtetat më qartë.

Gjëja tjetër që e bën Ramazanin të veçantë në aspektin e ngritjes shpirtërore është lidhja e shtuar me Kur’anin. Allahu e ka definuar Ramazanin me Kur’anin, duke thënë: “(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani..” (Bekare, 185) Duke e kuptuar këtë të vërtetë, besimtari e shton komunikimin e tij me Kur’anin përgjatë këtij muaji të bekuar, e Kur’ani është dritë që i zgjon shpirtrat e përgjumur dhe i pastron zemrat e pluhurosura. Fjalët e tij janë ujë i freskët që hidhet fytyrave të përgjumura, e tingujt e tij (edhe kur nuk kuptohet përmbajtja) janë ujë i qetë që e lanë brendësinë e dëgjuesit, për shkak të mrekullisë hyjnore me të cilën është radhitur çdo shkronjë në të. Kështu, marrëdhënia më e afërt me Kur’anin përgjatë Muajit të Kur’anit, është edhe një faktor kyç që këndell shpirtrat e topitur dhe ngjall zemrat e molisura.

Zgjimi i shpirtrave në Ramazan është aq lehtë i dukshëm. Fytyrat e njerëzve ndryshojnë, ndryshon shikimi në sytë e tyre, në fytyra ka një buzëqeshje të vazhdueshme. Në fjalë me të tjerët bëhemi më të butë, në marrëdhënie më të kujdesshëm, në dhënie me bujarë, në marrje më falënderues, në të jetuar më të vetëdijshëm. Dhuratë hyjnore është ky muaj i bekuar, pasqyrë që na bën ta rishohim veten e vërtetë, të kthjellët, pa turbullira. Prandaj, mbi të gjitha epitetet që i vihen Ramazanit, sëpari ai është muaj i shpirtit.

Lajme të ngjashme

Back to top button