Maqedonia është shtet i cili është i kurdisur keq

 raportin e organizatës Freedom House “Vendet në Tranzicion”, u cek se demokracia në vendet e Ballkanit vazhdon të jetë e brishtë dhe në disa raste ka pësuar rënie. Në këtë raport gjithashtu u vlerësua se Maqedonia, është mes vendeve që ka vazhduar të ketë rënie në nivelin e demokracisë, ashtu si edhe një vit më parë, veçanërisht në kategoritë e procesit elektoral dhe shoqërisë civile.

Partitë politike opozitare shqiptare reagojnë dhe e komentojnë këtë raport duke e cilësuar si të vërtetë dhe se demokracia në Maqedoni fatkeqësisht është në rënie e sipër.

Kryetari i RDK-së, Vesel Memedi thotë se viti 2015, duke patur parasysh krizën e thellë politike, do të jetë raporti më i rëndë që ka patur ndonjehërë Maqedonia.

“Raporti i fundit i Freedom House është vetëm një konstatim i gjendjes aktuale në vend për sa i përket demokracisë në përgjithësi. Nëse këtij konstatimi i shtojmë edhe faktin se raporti në fjalë i referohet vitit 2014, atëherë mund të konkludohet se viti 2015, duke patur parasysh krizën e thellë politike, do të jetë raporti më i rëndë që ka patur ndonjëherë Maqedonia. Është për të ardhur keq se edhe pas 25 vite të pluralizmit në vend, Maqedonia vazhdon të jetë “regjim në tranzicion” dhe tani i shtohet edhe fjala “hibrid” që nënkupton një shtet “gjysmë kështu dhe gjysmë ashtu,” që vetëm organizon zgjedhje, por që nuk mban llogari për asgjë tjetër që definon një shtet me demokraci ose së paku gjysmë demokraci. Me një fjalë, Maqedonia është duke shkuar drejt regjimit autoritar dhe totalitar, nëse nuk merren masa urgjente për rregullimin e shëndoshë të themeleve të këtij shteti”, tha për Portalb, Memedi.

Ai shtoi se atëherë ata që e sollën këtë gjendje të një “regjimi hibrid” duhet të mbajnë llogari për çdo veprim të tyre që e sollën këtë rezultat.

“Duke patur parasysh se zhvillimi i demokracisë është arritja më e madhe e një shteti, dhe jo pasuria e atij shteti, atëherë ata që e sollën këtë gjendje të një “regjimi hibrid” duhet të mbajnë llogari për çdo veprim të tyre që e sollën këtë rezultat, dhe jo të manipulojn popullatën me refrenin e njohur: “NATO, BE.” Këtij oksimoroni duhet ti jepet fund, se përndryshe popullit të këtij vendi i shkruhet një e ardhme e zymtë me pasoja të rënda”, tha Memedi.

Nga Lëvizja Besa, Afrim Gashi shprehet se Maqedonia është shtet i cili është i kurdisur keq dhe të cilit i duhet ridefinim.

“Se çfarë është gjendja në Maqedoni në raport me demokracinë por edhe me të gjitha të drejtat universale njerëzore më së miri e dimë ne qytetarët e Maqedonisë e aq më shumë ne shqiptarët. Kur ky realitet publikohet nëpërmes “bombave” të liderit të opozitës maqedonase Zaevit, e më pas argumentohet edhe me hulumtime e raporte të organizatave me renome ndërkombëtare siç është në këtë rast ai i Freedom House, nuk ke si mos t’i besosh. Maqedonia është shtet i cili është i kurdisur keq dhe të cilit i duhet ridefinim”, tha për Portalb, Gashi.

Ai shtoi se të gjithë më janë të bindur për këtë realitet që po mbizotëron në Maqedoni.

“Ne, nga Lëvizja BESA që nga paraqitja jonë në skenën politike po flasim, po shkruajmë e po mundohemi t’i bindim shqiptarët, maqedonasit por edhe ndërkombëtarët për këtë realitet, andaj kur raporte të tilla si ky i fundit (Freedom House) shkon në favor të asaj që ne po e themi pa ja ndalë, kjo vetëm sa na ndihmon në arritjen e qëllimit tonë politik”, shtoi Gashi.

Gjithashtu partia opozitare maqedonase LSDM, ka komentuar raportin e  “Freedom House”, ku sipas saj ai përmban kritika të qarta për zbatimin e procesit zgjedhor, gjendjen në mediume, shkeljen e lirive dhe të drejtave elementare të njeriut./ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button