Maqedoni, prindërit të shqetësuar për regjistrimin e fëmijëve të tyre

Prindërit e nxënësve të cilët kanë përfunduar shkollën fillore shprehen të shqetësuar për atë se ndoshta nuk do të mund të regjistrohen në ato drejtime që duan dhe për të cilat i plotësojnë kushtet.

“Para dy viteve vajza përfundoi shkollën fillore dhe desha ta regjistroj në shkollën e mesme të mjekësisë dhe i dorëzuam dokumentet, ishte nxënëse e shkëlqyeshme dhe plotësonte kriteret, kur më thanë që nuk është pranuar. Është tmerr, kishte nxënës maqedonas që me mesataren 3 kishin hyrë dhe më than që nëse dua mund ta regjistroj në gjuhën maqedonase”, tha për Portalb, Fatmir G. prind nga Shkupi.

Ai shprehet se brengoset për të ardhmen e fëmijës të tij të dytë.

“Djali tani përfundoi shkollën fillore dhe shpreh dëshirë të regjistrohet në shkollën e ekonomisë. Nuk e di si të veproj, mesataren e ka shumë mirë dhe frikësohem mos do mbetet pa regjistruar aty ku do dhe më pas të ngelet në cilëndo shkollë dhe kështu do i humbet interesimi për shkollim. Matematika i shkon shumë dhe prandaj synon ekonominë”, tha Fatmir G.

“Shumë nxënës ka që regjistrohen në këto drejtime. Nuk e di isha për të dorëzuar dokumentet në gjimnazin ‘Zef Lush Marku’ në Shkup dhe vlonte nga nxënësit shpresojmë që do ketë vend për ata që plotësojnë kriteret”, tha Artan Saliu Prind.

“Në ekonomi dhe mjekësi duhet të hapen paralele të reja shqipe, dhe të mbyllen ato maqedonase sepse shqipet funksionojnë me nja 40 nxënës kurse ato maqedonase me 13-14 që nuk është e logjikshme. Madje në disa shkolla edhe paralelet maqedonase janë të mbushura me shqiptarë. Nxënësit shqiptarë mbajnë hapur paralelet maqedonase dhe kjo nuk është fare e drejtë”, tha Fatmir T., prind.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Portalb mbeten të pakapshëm për komentim.

Në “Arseni Jovkov”, me çdo kusht rruhen paralelet maqedonase

“Cvetan Dimov”, bëhet thirrje që shqiptarët të mos regjistrohen në paralelet maqedonase

Nga ana tjetër ish ministri i arsimit, Sulejman Rushiti thotë se sistemi arsimor duhet të jetë i çliruar nga të gjitha ndikimet arbitrare, në të gjithë vertikalen e tij, që të jetë i suksesshëm.

“Kur shkatërrohet sistemi, atëherë në çdo hallkë të tij dalin problemet në sipërfaqe. Sistemi arsimor duhet të jetë i çliruar nga të gjitha ndikimet arbitrare, në të gjithë vertikalen e tij, që të jetë i suksesshëm”, tha për Portalb, Rushiti.

Ai shtoi se tani për momentin arsimi është në një kaos total.

“Për fat të keq, tanimë mund të thuhet që arsimi është në kaos. Ky kaos vjen si pasojë e ndërhyrjeve arbitrare në sistem, për shkak të partizimit të tij dhe për shkak të decentralizimit që në fakt është policentrizëm.  Sigurisht që ka mënyra për të vendosur rregull në arsim por këto mund të bëhen vetëm si pako”, shtoi Rushiti.

Kurse në shkollat e mesme publike me 23 dhe 24 qershor është afati i parë paraqitjes dhe regjistrimit të nxënësve në vitin e parë shkollor 2014/2015.

Sipas konkursit të cilin Ministria për Shkencë dhe Arsim e publikoi në muajin prill, ka edhe 35.195 vende të lira në shkollat e mesme. Rezultatet do të jepen më 25 qershor. Në afatin e qershorit do të ketë edhe afat të dytë më 30 qershor dhe 1 korrik, ndërsa afati i regjistrimit për muajin gusht do të jetë me datë 21./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button