OH Hilal me aksion humanitar në Tetovë

Organizata Humanitare Hilal, e cila vepron në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame, vazhdon me karvanin e saj humanitar. Këtë radhë, në bashkëpunim me Myftininë e BFI Tetovë, në mënyrë të organizuar u shpërndanë 350 pako me ushqime dhe mjete tjera sanitare për skamnorët e këtij rajoni.

Në përfundim të aksionit, Kryetari i OH Hilal Mustafa ef. Dauti, në prani të mjeteve të informimit deklaroi se Karvani Humanitar do të vazhdojë nëpër të gjitha qytetet e Maqedonisë.

“Ashtu siç paralajmëruam në fillim të muajit të shenjtë të Ramazanit, ne si Organizatë Humanitare i kemi dhenë vetes për detyrë që të depërtojmë në tryezën e çdo familje që ka nevojë, me qëllim që tua zbusim sado pak gjendjen e tyre”.

Edhe Muftiu i Tetovës, Prof. Qani ef. Nesimi, shprehu kënaqësinë për këtë aksion me të cilin u ndihmuan 350 familje skamnore nga rajoni i Myftinisë së Tetovës. “Në emër të Myftinisë së Tetovës, e falënderoj Reisul Ulemanë dhe Organizatën Humanitare Hilal, të cilët me përkushtim dhe dedikim siguruan pako humanitare për banorët e Tetovës të cilët kanë nevojë, gjatë këtij muaji të bekuar të Ramazanit”.

Nga Bashkësia Fetare Islame bëjnë të ditur se OH Hilal do të vazhdojë me aksionet humanitare dhe se gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, çdo ditë do të jenë në teren duke shpërndarë pako humanitare  për të gjithë skamnorët, në katër anët e vendit.–

Lajme të ngjashme

Back to top button