Muaji i ndryshëm dhe mundësia e ndryshimit

Bletët edhe kur të çiftëzohen nuk kanë nevojë të shkojnë askund për pushime me rastin e muajit të mjaltit!

Flasim dhe shkruajmë për dukurinë e ndryshimit pa përtim e pa ndalë, por jo edhe duke qenë shkruesi i këtyre vargjeve i përdalë. Kemi kuptuar sa për të qenë të aftë në këshilla dhe në zbatim, patjetër se ndryshimi duhet të niset nga vetja dhe të gjendet një kohë më e përshtatshme për fillimin e ndryshimit. Nuk thërrasim për ndryshimin e gjërave të mira, sepse ato mjafton vetëm t’i freskojmë hera herës. Duam ndryshime të gjërave të këqija, të cilat kanë mundësi që njeriun ta shndërrojnë në babëzi, shoqërinë në mall që harxhohet dhe shtetin në ndërmarrje prodhuese të të metave. Kohë për ndryshime kishte pasur gjithmonë dhe padyshim se ka gjithherë. Mjafton të kemi të atillë që kohën e shfrytëzojnë dhe nuk e harxhojnë, të cilët si mundësi më të mirë për një sipërmarrje të këtillë e shfrytëzojnë muajin Ramazan për t’i larguar kështu disa gjeste, fjalë dhe veprime të pahijshme.
Ramazani butësisht dhe me mirësjellje troket nëpër dyert e myslimanëve. Kurse ia hapin derën vetëm ata që kuptuan se besimtarët që janë të sëmurë nuk agjërojnë. Tani të mos preket për keq dikush që i thotë vetes besimtar dhe i shëndoshë, kurse në anën tjetër nuk agjëron, vetëm se unë po shkruaj se ai që nuk agjëron është ose i sëmurë ose ka ndonjë hall tjetër shumë të rëndë, porse i shëndoshë assesi! Në një mjedis të shëndoshë duhet ditur se me ardhjen e këtij mysafiri të shumëpritur prej besimtarëve dhe besimtareve, erdhi një mundësi e mirë për të filluar ndonjë gjë më të mirë krahas asaj që deri më tani e keni vepruar, edhe pse besimtari duhet të jetë i mirë dhe i vëmendshëm përgjatë tërë vitit dhe tërë jetës, por në muajin Ramazan, sikur e sheh veten të ulur nën hijen e një rrapi me gjethe të harlisura, ku pas një këndellje që ofron hija e atij rrapi, ai ka mundësi më qartë të mendojë për veten; ku ishte, ku gjendet dhe ku do të shkojë?
Kësisoj, nëse deri më tani nuk e ke kuptuar si duhet shehadetin dhe detyrimet që rrjedhin pas kësaj dëshmie, atëherë në këtë muaj të bekuar ke mundësi më lehtë të mendosh rreth një gjëje të tillë. Nëse deri më tani nuk e ke falur namazin ose e ke falur duke qenë i shkujdesur, atëherë në këtë muaj të bekuar ke mundësi ta përmirësosh atë gjendje të amullt. Nëse nuk ke pasur gjithaq kohë për të menduar rreth mëkateve tua, atëherë tani ke mundësi ta besh një gjë të tillë, madje duke e ditur se çmimi i faljes është shumë i lirë në këtë muaj. Nëse e ke thithur tymin e duhanit duke e harxhuar kështu arkën familjare, oksigjenin e pastër, cigaren dhe shëndetin tuaj, atëherë një rast shumë i mirë është që në këtë muaj t’i thuash kësaj dukurie vrastare e mëkatare shporru gjithandej. Nëse ke qenë nervoz për punë të imëta, pse jo edhe për çështje të mëdha dhe me nerva të çelikta ndaj malit të mëkateve, atëherë në këtë muaj, nën hijen e këtij rrapi të madh që pandërprerë rrihet prej një puhize të lehtë, ke mundësi që nervozen ta trajtësosh në durim e mirësjellje dhe nervat e çelikta ndaj bjeshkës së mëkatit t’i shndërrosh në pendim të çelikosur ndaj të bëmave të pështira. Nëse deri më tani ke qenë përtac për sa i përket leximit të librave, atëherë ta rikujtoj se po në këtë muaj filloi shpallja hyjnore me fjalën e parë në mënyrë urdhërore, që ishte lexo, ndaj ti si pjesëtar i këtij urdhri dhe i asaj ngjarjeje madhështore si do të ndihesh përgjatë kohës së lirë pa libër në dorë dhe pa dituri në mendje? Ti mund të kesh kohë të lirë, por mos harro se koha e lirë të robëron, sidomos në këtë muaj të ndryshimit dhe të ndryshimit të patjetërsueshëm.

Sa lehtë dhe sa bukur

Është lehtë dhe bukur të jesh agjërueshëm dhe përjetues i muajit Ramazan. Është ngazëllim të kesh një sistem veprimi ndryshe prej ditëve tjera. Gjithsesi, ndryshimin secili e dëshiron. Nuk shkon çdo ditë njëjtë, – do të thoshin fytyrat që çdo ditë i shoh në të njëjtën rrugë. Ushqehemi, pimë, punojmë, lexojmë, shkruajmë, takohemi, adhurojmë e flemë. Tani jo që kemi hequr dorë prej këtyre veprimeve, por vetëm se pak ia kemi ndërruar kohën, atmosferën dhe vendin. Kjo i bën mirë shpirtit tonë, mendjes sonë, trupit tonë dhe traditës sonë. Sërish ushqehemi, pimë, lexojmë, bisedojmë, shkruajmë, takohemi, adhurojmë e flemë, por tani këto nevoja i jetësojmë më ndryshe. Pikërisht se tani këto nevoja i zbatojmë më ndryshe edhe ndihemi të kënaqur e të mbushur përplot shpresë e jetë. Ngjashëm, kalojmë jetën me një grua, por ndryshimi i herëpashershëm i modelit të flokëve vetëm për burrin, ndryshimi i rrobave, lyerja vetëm për burrin e saj, në rast se shton peshë, përmirësimi i saj duke bërë sport, gjithë këto përpjekje dhe të tjera s’do mend se gruan e bëjnë më të dashur, më të freskët e më të ndryshëm për burrin, edhe pse në thelb është e njëjta grua. Kjo vlen edhe për burrin, sepse ashtu siç burrat kanë dëshira, ngjashëm edhe gratë kanë tufë dëshirash.

Agjërojmë që të bëhemi të devotshëm

Zoti Lavdiplotë në librin e Tij thotë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë detyrim, ashtu sikurse ishte detyrim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. Nga ky ajet kuptojmë se thelbi i agjërimit nuk është vetëm të përmbajturit prej pirjes dhe prej ngrënies, porse përmes agjërimit kihet parasysh diçka shumë më madhështore. Përmes agjërimit na bëhet me dije se duhet të jemi të devotshëm që të mund t’i japim shpirt agjërimit. Në të kundërtën, nëse edhe pas agjërimit nuk do të mbërrijmë të bëhemi të devotshëm, atëherë vallë, cila është urtësia e këtij ajeti kuranor, sidomos fjalia e fundit “kështu që të bëheni të devotshëm”?
Përpos që zbatojmë një urdhër të prerë duke dëshmuar se zbatojmë shtyllën e katër të fesë Islame, përmes agjërimit Allahu dëshiron të na pastrojë në mënyrë që të bëhemi njerëz më të mirë dhe më të përshpirtshëm. Ndërsa të jemi të këtillë do të thotë: ta adhurojmë me dëlirësi Allahun, pastaj të jemi të mirë, të butë, gojëmbël, këshillues, këshillëpranues, bamirës, me një fjalë; të kemi sjellje të mira mes njerëzve, të jemi vezullues të virtyteve si ndaj myslimanëve ashtu edhe ndaj njerëzve që i përkasin besimeve tjera. Kësodore, ata që bërtasin në prag të iftarit, ata që shajnë përgjatë ditës së agjërimit, ata që përgojojnë e ata që nuk bëjnë fare mirë, të paktën duke mos i bërë keq dikujt, le t’i kthehen ajetit kuranor, pastaj ta shohin se përse agjërimi i tyre nuk po i bënë aq dobi sa të bëhen njëmend të devotshëm dhe përjetues të ndryshimeve të mira edhe pasi të kalojë ky muaj i ndryshimit. Sidoqoftë, mundësia për ndryshim dhe përtëritje po troket. Të mos e humbim këtë sihariq. Të mos e trajtësojmë ramazanin vetëm si mundësi të humbjes peshë, por si mundësi e humbjes së veseve dhe shprehive të këqija.

Lajme të ngjashme

Back to top button