Serbi: Vizita e Vuçiqit – përparim i raporteve me SHBA-të
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Michael Kirby, gjatë takimit të tyre të sotëm, kanë vlerësuar se vizita e zotit Vuçiq në Uashington, ishte shumë e sukseshme dhe në mënyrë të rëndësishme ka kontribuar në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“SHBA-ja ka treguar respekt ndaj Serbisë”, tha kryeministri Vuçiq, ka njoftuar zyra e tij.
Si rezultat të vizitës, ambasadori Kirby e ka theksuar interesimin më të madh të kompanive ameerikane për investime në tregun e Serbisë.
Ai theksoi se qëndrim i qartë i administratës amerikane është se e mbështet rrugën evropiane të Serbisë dhe se Uashingtoni do ta inkurajoj Bashkimin Evropian për hapjen e kapitujve të parë në negociatat me Serbinë.
Vuçiq dhe Kirby kanë biseduar edhe për përparimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, para rundit të ri të bisedimeve të paraparë për 23 qershor në Bruksel dhe e kanë shqyrtuar situatën në rajon.
“Serbia mbetet e përkushtuar për mbajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, tha Vuçiq./REL