Donald Lu: Mos shisni votat dhe mos votoni të inkriminuarit

Pak ditë para zgjedhjeve lokale dhe në ditët kur fushata zgjedhore është intensifikuar, vazhdon apeli i ndërkombëtarëve për qytetarët, që të jenë të kujdesshëm në zgjedhjen e tyre. Thirrja për të mos shitur votën dhe për të mos votuar kandidatët e inkriminuar ka ardhur edhe nga ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë, Donald Lu, i cili u është drejtuar studentëve të Universitetit të Korçës.

Kreu i diplomacisë amerikane në Shqipëri, gjatë një takimi të Akademisë Rajonale Politike, është ndalur edhe te procesi i dekriminalizimit, duke ripërsëritur se, me votë kanë mundësi të refuzojnë kandidatët e inkriminuar.

“Ky është nje vend ku të rinjtë zotërojnë fuqinë për të zgjedhur udhëheqësit e tyre dhe fuqinë për të ndryshuar të gjithë sistemin politik. Ju keni fuqinë të refuzoni politikanët kriminelë, blerjen e votës dhe retorikën e inatosur politike, por ju e keni këtë fuqi, vetëm nëse votoni. Gjatë zgjedhjeve të fundit në SHBA, 78 për qind e votuesve nën 30 vjeç qëndruan në shtëpi. Tre arsyet kryesore, që të rinjtë amerikanë thanë pse nuk kishin votuar, ishin ‘jam shumë i zënë’, ‘harrova të votoj’ dhe ‘nuk jam i interesuar’. Shpresoj që të rinjtë shqiptarë të jenë më të interesuar sesa ata amerikanët. Më shqetësojnë veçanërisht ata që thanë se kishin harruar të votonin. Një nga gjërat më të rëndësishme që qytetarët mund të bëjnë është të jenë votues të mirëinformuar. Ne kemi mbështetur forumet për kandidatët në Fier, Pogradec, Shkodër dhe Tiranë. Përvoja jonë ka treguar se kur kandidatëve u jep mundësinë, ata kanë gjëra të rëndësishme për të thënë mbi ato që duan të bëjnë për të përmirësuar bashkitë e tyre. Ka një shprehje që e përdorim ne amerikanët: nëse nuk voton, mos u anko. Të gjithëve na pëlqen të ankohemi për udhëheqësit tanë, ndaj dhe ju keni mundësinë të zgjidhni udhëheqësit tuaj, mos e shisni votën tuaj, mos e dëgjoni retorikën e inatosur politike, e mbi të gjitha, ditën e votimit mos rrini në shtëpi. Mos harroni të votoni”, deklaroi ambasadori Donald Lu.

Lu ka bërë thirrje, që jo vetëm studentët, por të gjithë të rinjtë të mos neglizhojnë ditën e votimit dhe të shprehin vullnetin e tyre me zgjedhje./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button