Kriza më e madhe ende ka për të arritur!

Mbaroi vizita e komisarit Han. Deklarativisht palët negociuese janë marrë vesh që të organizohen zgjedhje të parakohshme deri në fund të muajit Prill të vitit të ardhshëm. Do të ketë zgjedhje të parakohshme. Deri atëherë, do të kërkohet një zgjidhje e përkohshme e cila duhet të vijë gjatë javëve të ardhshme në Bruksel si pasojë e vazhdimit të negociatave. Duke gjykuar nga paraqitja skenike e aktorëve kryesorë, kryeministrit dhe kryeopozitarit shumë pak mund të dallohet lidhur me të ardhmen e këtij vendi të vogël të quajtur Maqedoni. Cilido që të jetë sinopsisi i kësaj krize, asgjë nuk do të ndryshojë më 1 Maj të 2016-ës. Asgjë nuk mund të ndryshojë gjatë natës. Ata që mendojë ndryshe janë shumë të gabuar në racionalitetin e vet, ose janë tepër të afërt me kryeopozitarin. Problemi i Maqedonisë është strukturor, fillon që në bazë të piramidës duke ngjitur shkallët deri në majën e shtetit. Të kujton pak a shumë ato piramidat egjiptase, që megjithëse madhështore nuk janë gjë tjetër vecse varre të një epoke të shkuar. Analogjia qëndron në atë që varri, vdekja, krymbja, janë në bazën e piramidës, e jo në majën e saj. “Bombat” senzacionale të opozitës vetëm se e kanë shkundur këtë piramidë dhe ia kanë “nxjerrë pluhurin” si të thuash. Pikërisht në pranverë, si gratë që bëjnë punët e verës nëpër shtëpi. E vërteta e hidhur është se balta është e ngjitur fortë në sistemin tonë (jo)demokratik. Për të patur një të ardhme, ky vend duhet të pastrohet nga kjo baltë.

Ajo që është mëse e qartë është që zgjidhjen e përkohshme të problemit kush do të qëndrojë në fronin e Maqedonisë deri në atë fund prilli, do të na e “japin” – thuaj imponojnë komisarët europjanë – se ngjan me komisarët e Partisë së një kohe të kaluar. Ata e dijnë më mirë! Të paktën kështu thotë lideri jonë i madh, Ali A. Derisa e sheh atë me një fytyrë të ngrysur dhe serioze duke u munduar të kuptojë përkthimin e dobët të anglishtes që i bën Artan G. Këtë zgjidhje kalimtare logjikisht është ta presim ashtu sic e kërkon opozita, me largimin e Gruevskit nga skena politike. Sepse ndryshe nuk shoh mënyrë për të arritur deri në atë fund-prilli të përgatitur sic duhet për zgjedhjet e parakohshme, të cilat duhet të jenë historike për këtë vend.

Karremi i zgjidhjes do të ishte karta e anëtarësimit (të pamerituar) në Unionin Europjan: oferta e europjanëve do të kishte qenë nisja e bisedimeve për anëtarësim. Por së pari Maqedonia, në këto 10 muajt e ardhshëm duhet të fokusohet në cështje elementare të një sistemi demokratik. Që në momentin kur plasën “bombat” faktori ndërkombëtar ka qenë shumë i qartë në atë që gjyqësori i pavarur dhe mediat e pavarura janë parakushte të një demokracie të mirëfilltë. Sepse Maqedonia ra në provimin e Bazave të demokracisë, tani duhet të kalojë nëpër purgator dhe të përgatitet për sesionin e ardhshëm korrektiv, atë të Prillit. Këtë periudhë deri në Prill të 2016 Maqedonia duhet të fillojë e të punojë në pastrimin e baltës nga këto elemente demokratike.

Proceset bazë të cilat vendi jonë duhet t’i realizojë për të arritur e përgatitur për zgjedhje të parakohshme të mirëfillta, e jo në farsat e zakonshme do të kishin qenë: krijimi i një qeverie teknokrate e të pavarur nga faktori politik në vend e cila do të krijonte kushte për zgjedhje të parakohshme; fillimin dhe përfundimin e një cenzusi të popullsisë, proces i cili do t’i paraprinte pastrimit të listave zgjedhore; mbajtjes së zgjedhjeve nën protektoratin dhe diktatin e faktorit ndërkombëtar, me komisione zgjedhore të formuara nga anëtarë ndërkombëtarë dhe me ligj zgjedhor konform legjislativës europjane; abrogimin e shumë ligjeve joracionale dhe disktriminuese të kësaj garniture qeveritare; krijimin e një klime të qetë për biznesin; punimin për evitimin e bankrotit financiar të shtetit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button