Shpend Ahmeti: Gruevski të largohet, Zaev nuk është zgjidhje (VIDEO)

Kriza aktuale politike imponon largimin e qeverisë Gruevski, por kjo nuk nënkupton se shqiptarët apriori duhet të mbështesin liderin e LSDM-së Zoran Zaev.

Kështu ka vlerësuar mes tjerash funksionari i lartë i lëvizjes “Vetëvendosje” njëherit edhe kryetar i Prishtinës Shpend Ahmeti, sipas të cilit opozita maqedonase ka mundësi të dëshmojë dallimin me pushtetin nëse publikon të vërtetën për “Smillkovën”.

“Ne e kemi thënë qartë se Gruevski duhet të largohet, megjithatë kjo nuk do të thotë se automatikisht kjo e bën më të mirë Zaevin apo opozitën edhe mendoj që do të dëshmohen, rasti më i mirë për t’u dëshmuar është publikimi i rastit ‘Monstra’, sepse tash në qoftë se kanë diçka prej rastit e nuk po publikohët mendoj s e i bën të gjithë bashkëpjesmarrës, bile edhe më keq se ata të tjerët sepse njerëzit po qëndrojnë në burg dhe është mirë të zbulohet e vërteta”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti në një debat organizuar në Shkup.

Duke folur rreth politikbërjes së liderëve politik shqiptarë në Maqedoni, ai tha se kemi të bëjmë me një degradim total të përfaqësimit politik.

“Ne këtë nuk e kemi frikë ta themi, dhe ua themi të gjithë atyre, dhe mendoj se kanë nevojë për ndryshime, të cilat ndryshime nuk janë vetëm ndryshime emrash, por do të duhet që me të vërtetë të mendojnë për një formë të organizimit të ri. Dëshira dhe qëllimi jonë do të ishte që të kishte një shtet qytetar në Maqedoni, megjithatë ky nuk është realiteti sot as në Maqedoni, e as diku tjetër donë të thotë ende kemi diskriminime, trajtime vetëm pse jemi të një nacionaliteti tjetër dhe në këtë kontekst ne duhet të kemi edhe barazi kombëtare, dhe përfaqësim më të mirë të shqiptarëve të cilët do të garantonin se të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni po mbrohen”, ka thënë Ahmeti.

Lajme të ngjashme

Back to top button