Politikanët shqiptarë shpërdorin Marrëveshjen e Ohrit si leckë

E tha, s’e tha; e kërkoi, s’e kërkoi! Nuk e merr vesh njeri. Përderisa disa thonë që e kërkuan, disa të tjerë thonë që nuk e kërkuan. Nuk din njeriu cka të beson, dhe kujt t’i beson… Në një tollovi të këtillë politike dhe sociale, secili mund të manipulojë si të dojë, secili mund të ndërtojë një të vërtetë të vetën. Duke i njohur për burrërinë e tyre të pashoq, jam i bindur që atë dokument 7 pikësh liderët shqiptarë e kanë shkruar – ose më mirë dikush jua ka shkruar, por nuk e kanë dorëzuar përpara palës maqedone. Mendoj që në momentin vendimtar, kur është dashur ta hapin atë temë, kanë parë njëri-tjetrin në sy dhe kanë ndjerrë hezitimin tek tjetri; ai hezitim i ka bërë të dyshojnë në motivet e fshehta të liderit tjetër, sepse janë të mbushur me mosbesim. Këtë hezitim pastaj e kanë shndërruar në atë klasiken: Po pse ta them unë, le ta thotë ai tjetri. Nëse e them unë mund të humb pozitën time. Edhe kështu e kanë humbur momentin, e kanë shuar inercionin. Turp, për Zotin! Kaq të paaftë, s’besoj që bën nëna më! Pastaj të dështuar nuk dalin vetë të mbrojnë tezat që i kanë vënë në atë dokument përpara popullit, por ia dorëzojnë një gazetari të një mediumi kosovar këtë dokument “historik”. Të dëgjosh sot Zaevin se si disi përçmueshëm përgjigjet me një JO të thatë pyetjes lidhur me ekzistencën e një dokumenti të tillë. Sikur ai e din më mirë që këta njerëz nuk janë më përfaqësues legjitimë të shqiptarëve. Mjaftojnë “bombat” për të demaskuar patriotizmin dhe shqiptarizmin e tyre.

Të gjitha hapat e drejtuesve të dy partive më të mëdha shqiptare në Maqedoni kanë qenë të gabuara. Që nga fillimi i krizës demokratike dhe politike në vend, për të mos u kthyer më përpara se fillon e të dhemb koka nga mospërgjegjësia dhe jokompetenca e tyre. Hapi i fundit i gjoja bashkimit të të dy partive, që po flitet nëpër popull më duket shumë makabër. Përsëri vrapojnë pas kohës; një hap që ishte dashur të hidhet shumë përpara në kohë, janë urgjencat mikropolitike momentale motivet e një bashkimi të këtillë. Në esencë i drejtë, por në qëllim pa esencë! Përderisa është e dukshme që po humbin besimin e popullit të tyre, vrapojnë të krijojnë aleanca të mëdha jofrytdhënëse.

Të shohësh entuziazëm më të madh shqiptar në një miting të një partie maqedone, në një miting qytetar sesa në ahengjet e tyre shfryrëse, sharëse dhe gënjyese paraelektorale me siguri që ka krijuar tensionin e nevojshëm sa për t’i shpërqëndruar ata nga qëllimi parësor: përfitimet financiare dhe kolltukofagizmi. Tani i janë kthyer idealeve shqiptare. Në momentin kur lodhja e popullit nga lojrat e ulta dhe meskine për pushtet është mëse evidente.

Mua letra më duket si një konfesion përpara një prifti: kërkojnë që të paktën njëra nga tre pozitat kyce të shtetit t’ju takojnë shqiptarëve. Megjithëse kjo më duket pozitive, nuk shoh arsye pse duhet ta kërkojnë tani e nuk e kanë kërkuar gjatë gjithë kësaj kohe përderisa kanë bërë marrëveshje politike me partnerët e tyre qeveritarë maqedonas (të quhen ato VMRO apo SDSM). Pozitat kyce të shtetit janë të gjitha zgjedhje politike të partnerëve qeveritarë. Pastaj si do më garantonte një jetë më të mirë një kryeministër shqiptar, nëse po ai bëhet vegël e partisë më të madhe maqedonase?! Në analogji: për vite me rradhë ne kemi patur drejtuesit më të lartë të arsimit, shëndetësisë dhe ekonomisë. Mos vallë këta personazhe kanë sjellë një arsimim më të mirë të të rinjve shqiptarë? Apo kanë bërë lobim për investime të mëdha ekonomike në Maqedoninë shqiptare? Apo kualiteti i shëndetit së shqiptarëve është përmirësuar?!

Më frustruese është që ndjejnë nevojën që Marrëveshjen e Ohrit ta fusin në një dokument të ri, në një facoletë restorani. Marrëveshja e Ohrit të zbatohet me përpikmëri! Po mirë more ju të nderuar, ku ishit këto 14 vitet e fundit?! Në planet tjetër?! Pse nuk zbatuat mekanizmat juridike dhe politike që i keni patur – dhe që i keni akoma – në dorë për të implementuar Marrëveshjen e Ohrit në plotësi? Akoma do ta përdorim si ËC letër një paqe për të cilën u derdh gjak?

Të mos flas për flamurin që me ligj është poshtëruar, për diskriminimin e përditshëm dhe të plotë, rastet e montuara gjyqësore, Kumanovën, Brodecin, Gostivarin, Bit Pazarin, monumentet e rënuara, ikjen masive të rinisë, kriminalitetin……. NUK NA DUHENI!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button