Kthehen në Kosovë trupat e të vrarëve në Kumanovë

Trupat e nëntë shqiptarëve të vrarë gjatë konfliktit të 9 dhe 10 majit në Kumanovë pritet që të sillen sot  në Kosovë.

Raportohet se Ambasada e Kosovës në Shkup, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës si dhe Instituti për Mjekësi Ligjore në Prishtinë janë duke i bërë përpjekjet që sa më shpejt të organizohet identifikimi i të vdekurve edhe në praninë e familjarëve dhe më pas kthimi i tyre në Kosovë.
Lejen për tërheqjen e trupave e ka dhënë Prokuroria në Shkup, e cila gjatë pasdites së sotme zyrtarisht i kanë njoftuar autoritetet kosovare se ka përfunduar autopsia e trupave të të vrarëve më 9 dhe 10 maj dhe se mund të bëhet tërheqja e tyre.

Pas marrjes së përgjigjes nga prokuroria, zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë bërë me dije se task-forca e themeluar po i bën përgatitjet teknike që gjatë ditës së nesërme të shkojnë në Shkup e ti marrin nëntë trupat e pajetë.

Mediat kosovare  kanë njoftuar se në Kosovë edhe zyrtarisht ka arritur lista me emrat e personave të vdekur:

Xhafer (Hysen) Zymeraj nga Prizreni, i lindur në vitin 1972,

Beg (Miftar) Rizaj nga Prekolluku i Deçanit, i lindur në vitin 1977,

Mirsad (Osman) Ndrecaj nga Gjakova, lindur në vitin 1979,

Valon (Selim) Kabashi nga Opterusha e Rahovecit, i lindur në vitin 1985,

Turgaj (Mehmet) Gashi, i lindur në Prishtinë në vitin 1978,

Samid (Bajram) Kastrioti, i lindur në Zojz të Prizrenit në vitin 1975,

Hysen (Latif) Rushiti nga Vushtrria, i lindur në vitin 1965,

Fatlum (Kadri) Vishesella, i lindur në Rufc të Ri të Lipjanit në vitin 1983 dhe

Arben (Qerim) Rexhaj nga Ferizaj i lindur në vitin 1971.

Lajme të ngjashme

Back to top button