Boulevard Voltaire: Perëndimi e bëri Putinin lider të pakontestueshëm

Tendencat e vendeve të perëndimit për të ushtruar presion ekonomik dhe politik mbi Rusinë kanë dështuar. Përkundrazi, kanë popullarizuar edhe më shumë presidentin rus, Vladimir Putin, ka shkruar magazina franceze Boulevard Voltaire.

Kriza politike që erdhi si pasojë e izolimit nga vendet e perëndimit në lidhje me krizën në Ukrainë, rënia e vlerës së rublës, dhe sanksionet ekonomike kanë bërë që Rusia të kalojë një kohë të vështirë politike dhe ekonomike, transmeton Indeksonline.

Megjithatë, në fund të ditës, Presidenti rus Putin doli fitimtar nga të gjitha këto fatkeqësi, dhe ai duhet të falenderojë perëndimin që i dha mundësinë për të forcuar vendin e tij, hapjen e mundësive të reja ekonomike dhe mbledhjen e qytetarëve të tij në një frymë të përbashkët nacionaliste, ka shkruar revista e njohur franceze.

Pas organizimit dhe mobilizimit të qytetarëve ukrainas për grushtshtet nga perëndimi kundër presidentit të zgjedhur Viktor Yanukovych në Ukrainë në shkurt të vitit 2014, dhe në fillim të luftës civile në Ukrainë, Rusisë iu hapën dyert për aneksimin e Krimesë. Populli i Gadishullit të Krimesë nuk e pranoi këtë grushshtet ilegal, dhe me referendum popullor votoi që të shkëputet nga adiministrimi i Ukrainës për t’iu bashkangjitur Federatës Ruse. Në këtë mënyrë, Rusia përfundoi me njësi të reja territoriale.

Edhe pse sanksionet e perëndimit sforcuan ekonominë ruse për një kohë, në plane afatgjata kjo pati efekte pozitive, pasi Qeveria e Rusisë filloi që të rikonstruktojë politikat ekonomike, duke kërkuar për partnerë të rinj biznesi, si dhe duke u orvatur për ekonomi të pavarur përmes investimit në industritë vendore. Revista ka shkruar se përkundër që rruga mund të jetë e gjatë dhe e vështirë për Rusinë rezultati përfundimtar do t’ia vlejë.

Izolimi nga perëndimi i dha Moskës një mundësi të re që të zhvillojë marrëdhënie të reja me fqinjët nga Lindja. Rusia ka nënshkruar marrëveshje të rëndësishme ekonomike, financiare dhe ushtarake me Kinën dhe Indinë vitin e kaluar, transmeton Indeksonline. Në anën tjetër, perëndimi ka humbur mundësi ideale biznesore, duke e shndërruar Rusinë nga një partner potencial në një kundërshtar, ka shkruar revista Boulevard Voltaire.

Ndërkaq, duke refuzuar ftesat për pjesëmarrje në paradën e Ditës së Fitores në Moskë më 9 maj, vendet perëndimore jo vetëm që kanë sulmuar Putinin personalisht, por kanë sulmuar tërë popullin rus. Njerëzit mund të mos e pëlqejnë Joseph Stalinin, mirëpo çdonjëri falendëron ish-Bashkimin Sovjetik për fitoren kundër Gjermanisë naziste. Tendencat e perëndimit për të gjuajtur poshtë rolin e ushtrisë sovjetike Luftën e Dytë Botërore nuk gjetën mbështetje mes popullit të Rusisë.

Artikullin magazina e përfundon duke thënë se, duke iu falënderuar tendencave të perëndimit për të ushtruar presion mbi Rusinë, Putini është bërë një lider i pakontestueshëm që ushqen vlerat dhe historinë e vendit të tij. /Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Back to top button