Flasin familjarët e të arrestuarve të Kumanovës pas vizitës

Familjarët e disa nga të arrestuarve gjatë konfliktit të armatosur në Kumanovë, i kanë vizituar sot ata në burgun e Shutkës në Shkup.

Kjo ka qenë vizita e parë e familjarëve që nga arrestimi i tyre të shtunën e 9 majit.

Indeksonline ka qenë bashkë me familjarët e Mirsad Qerimit nga Prishtina dhe Lirim Krasniqit nga Shtimja.

Ata i kanë thënë Indeksonline se të afërmit e tyre janë mirë, por koha e vizitës ka qenë e shkurtë dhe gjithçka është bërë përmes një xhami ndarës me vrima.

Motra e Mirsadit, Afërdita e cila bashkë me nënën e vizituan atë, thanë se edhe pse patën pak kohë për ta parë, megjithatë janë të lumtur që është gjallë.

“Për neve më e rëndësishmja tash për tash është që e pamë të gjallë. Nuk patëm mundësi që të rrinin gjatë më të, por na tregoi se i ka marrë gjësendet që ia kemi dërguar ditë më parë”, tha Afërdita me lot në sy.

Ajo nuk deshi të flasë nëse vëllai i saj ka pasur lëndime ashtu siç është raportuar, duke thënë se vetëm njërin sy e kishte të ënjtur nga infeksioni.

Në anën tjetër, babai dhe nëna e Lirim Krasniqit, posa dolën nga burgu i Shutkës ku u takuan për herë të parë me djalin e tyre pas një kohe bukur të gjatë, thanë se djali u tha se ishte mirë, por ata nuk munden ta shihnin mirë pasi që i ndante një xham me vrima dhe pamja nuk ishte shumë e qartë.

“Shyqyr që e pashë të gjallë”, tha nëna e Lirimit.

21 kosovarët e arrestuar në Kumanovë po mbahen ndarës në disa nga burgjet e Shkupit, derisa atyre u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Lajme të ngjashme

Back to top button