Komisioni Evropian: Jo zyrtarisht i kemi kërkuar dorëheqjen Gruevskit

Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutuan në mënyrë informale gjatë mbrëmjes mbi situatën e përkeqësuar në Maqedoni.

Mësohet se ata u informuan shkurtimisht nga Përfaqësuesja e Lartë, Mogherini, dhe Komisioneri Hahn, por nuk pati konkluzione, për të cilat, ministrat europianë vendosin në qershor, përpara samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE.

Ministrja kroate, Pusiç deklaroi ashpër për mediat vendase se “BE është shumë e shqetësuar për situatën në Maqedoni dhe se aktualisht mendohet të jetë pika më e ndjeshme në rajon, mes vendeve jo anëtare të Bashkimit Europian, por që në fakt janë në mesin e shteteve anëtare”.

Ndërsa burime pranë Komisionit Europian tregojnë se “Kryeministrit Gruevski i është kërkuar dorëheqja, por Shkupi nuk e merr në konsideratë këtë kërkese”.

Ministri  i Jashtëm sllovak, Lajçak tha se “deri tani nuk ka një kërkesë të drejtpërdrejtë publike për dorëheqjen e Kryeministrit Gruevski. Vendi ka thyer normat europiane dhe kjo situatë ishte sinjalizuar nga bojkoti i opozitës e publikimi i përgjimeve”, sipas tij.

“Tashmë është koha për BE-në që të ndërhyjë në Maqedoni, të jetë e dukshme atje dhe të tregojë lidership”, u shpreh Miroslav Lajçak për mediat sllovake, duke konfirmuar se Komisioni nuk do të rekomandojë nisjen e negociatave të anëtarësimit.

Ndërkohë që në nisje të takimit të përbashkët me Këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, deklaroi se “Aleanca po e ndjek nga afër situatën, përmes zyrës në Shkup”.

Lajme të ngjashme

Back to top button