Thors: Stabiliteti kërkon rikthim urgjent të proceseve demokratike dhe politike

Komisionerja e lartë e OSBE-së për pakica kombëtare, Astrid Thors ka vizituar më 14 maj së bashku me Ambasadorin Gérard Stoudmann, Përfaqësues Special të OSBE-së për Ballkanin Perëndimor, si dhe Ambasadorin Dejan Shahoviç, Udhëheqës i grupit punues të Kryesisë së OSBE-së. Ajo i vazhdoi takimet në Shkup dhe Tetovë më 15 maj në mënyrë që të hartojë vlerësim të pavarur lidhur me situatën në përputhje me mandatin e saj, thuhet në Komunikatën e OSBE-së.

Thors alarmoi kundër keqpërdorimit të mundshëm të krizës politike për të provokuar tensione ndëretnike gjatë vizitës së saj të fundit në shkurt (http://www.osce.org/hcnm/141506). Ajo gjithashtu theksoi se dështimi për të garantuar plotësisht qeverisjen e mirë dhe sundimin e së drejtës mund ta bëjë shoqërinë të pambrojtur ndaj instrumentalizmit politik.

Ngjarjet tragjike që ndodhën në Kumanovë para disa ditësh, të cilat akoma pritet të qartësohen, kanë hapur rrezikun për rikthim ndaj dhunës së të kaluarës. Komisionerja e lartë ka lavdëruar popullatën lokale e të gjitha bashkësive etnike, për unitetin e treguar t; jashtëzakonshëm, si dhe për përkushtimin për zgjidhje paqësore. Ajo apelon tek të gjithë partitë politike të përmbahen nga çdo lloj veprimi i cili mund ta vë në rrezik këtë solidaritet.

Qytetarët kanë bërë thirrje për drejtësi dhe shoqëri pa dhunë. Komisionerja e lartë apelon tek të gjithë liderët politikë t’i përmbushin kërkesat e tyre. Thors shton se kriza momentale politike në shtet duhet patjetër të zgjidhet në mënyrë që do të sigurojë rikthim të besimit në funksionimin e institucioneve demokratike, duke shtuar se “zgjidhjet e përshpejtuara nuk janë opsion as për drejtësinë dhe aq më pak për stabilitetin afatgjatë”.

Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ofrojë përkrahje për një proces politik që i shmanget hapjes së sërishme të problemeve të vjetra ndëretnike në shtet, dhe që ruan stabilitetin në rajon.

Gjatë vizitës së saj, Thors pati takime me liderët e koalicionit qeveritar, si dhe me përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile, informojnë nga OSBE.

Lajme të ngjashme

Back to top button