KMDLNJ kërkon që të vizitohen të arrestuarit kosovarë në Maqedoni

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) shpreh shqetësimin për sjelljen e autoriteteve maqedonase për trajtimin e të arrestuarve në Kumanovë si dhe gjatë mbajtjes në paraburgim në objektin e paraburgimit në Shutkë.

KMDLNj, përmes kontaktit me aktivistë për të drejtat e njeriut në Maqedoni ka shprehur gatishmëri t’i vizitojë të paraburgosurit së bashku me ta por është informuar se kjo është e pamundur dhe se deri më tani nuk është lejuar as aktivistëve për të drejtat e njeriut të Maqedonisë t’i vizitojnë të paraburgosurit kosovarë.

KMDLNj ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me Ministrinë për Punë të Brendshme të Kosovës për vizitë Qendrave të Ndalimit ndërsa me Ministrinë e Drejtësisë për vizitë Qendrave të Paraburgimit dhe Qendrave Korrektuese. Mandati i vizitave për personat e arrestuar vlen vetëm brenda territorit të Kosovës ndërsa për vizita personave të arrestuar në shtetet tjera KMDLNj nuk ka mandat e as leje. Në rastin konkret, të arrestuarit në Qendrën e Paraburgimit në Shutkë mund dhe duhet të vizitohen nga zyrtarët e Ambasadës së Kosovës në Maqedoni të cilët, përveç vizitave që duhet t’ua bëjnë ata duhet t’u sigurojnë edhe mbrojtje ligjore si dhe ta monitorojnë procesin e gjykimit. Të arrestuarit kosovarë mund dhe duhet të vizitohen edhe nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq që ka mandate të plotë dhe nuk mund të pengohet për këto vizita. Ata mund të vizitohen edhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit të Maqedonisë.

KMDLNj shpreh gatishmëri t’i vizitojë të arrestuarit kosovarë në Maqedoni nëse Ministria e Drejtësisë e Kosovës arrin marrëveshje me Ministrinë e Drejtësisë së Maqedonisë për lejimin e vizitave të tilla si dhe pret përkrahje në këtë drejtim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe Ambasada e Kosovës në Maqedoni. Në Kosovë është formuar Mekanizmi për Parandalimin e Torturës (QKRMT, KMDLNj dhe Avokati I Popullit) dhe e cila ka kapacitet profesional për monitorimin e qendrave për persona të privuar nga liria por që nuk mund të bëjë vizita monitoruese në shtetet tjera pa përkrahjen e institucioneve vendore dhe pa pëlqimin e shteteve ku mbahen të arrestuar qytetarët e Kosovës. /KosovaPress/

Lajme të ngjashme

Back to top button