Kumanova, përgjegja e madhe!

Babi im ka përfunduar shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Kumanovë, në të ’80-tat. Unë e mbaj në mend si fëmijë, rrugën që përshkonim, me autobus, bashkë me mamin, për t’i bërë babit vizitë, çdo javë; të përcjellë me nxitimin e takimit, si emocionin më mbizotërues. Më kujtohet një park i gjelbëruar në të cilin bënim piknik, deri në përfundimin e vizitës, kur babi, atëbotë me mustaqe, kthehej në kazermë.

Për Kumanovën kisha dëgjuar edhe nga gjyshërit e mij, të cilët në vitet e ’50-ta, kishin shërbyer si mësues të rajonit, por dhe në Preshevë dhe në Luginë, në përgjithësi. Ndërkaq edhe halla ime tashmë e ndjerë, kishte lindur po në Kumanovë. Veturën tonë të parë si familje, e kishim blerë në këtë qytet, tashmë historik, më duket diku në vitin 2009. Ndërkaq, marrëveshja e Kumanovës ishte vendimi që i kishte sjellur fundin luftës në Kosovë. Lidhjet me Kumanovën, si dhe me Shkupin, Tetovën, Prishtinën, Ferizajin, Komoranin, Tiranën, Shkodrën e Ulqinin, nuk janë të pazakonshme, meqë ato edhe spjegojnë fatin gjeografik të shqiptarëve gjithandej, fatkeqësisht të mohuar panatyrshëm.

Ngjarjet e 9 dhe 10 majit, në Kumanovë, derisa ngrisin akoma dhe më shumë pyetje në një situatë edhe ashtu të ndërlikuar, në të njëjtën kohë, japin dhe përgjegjet që ndoshta është dashur të jipen tash sa kohë. Mirëpo, derisa vazhdimisht nën petkun e nacionalizmit, qëllimshëm problemet janë stigmatizuar për mos t’i parë drejt e në sy, tashmë ka ardh koha për t’i parë faktet, në të cilat po zatetemi si mos më keq.

Shqiptarët në Maqedoni, marrë parasysh përbërjen e popullisisë, janë sot pjesa jonë më e diskriminuar kombëtare. Edhe pas 14 viteve nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, mjerimi zë akoma më shumë vend në zyrat bosh prej shqiptarëve, në pozitat udhëheqëse të munguara për shqiptarët, me gjuhën Shqipe cungueshëm të zyrtarizuar, dhe në Kumanovën e cila akoma “vret” shqiptarët. Përkundër koalicioneve qeveritare, qeverisja bëhet ndaras: për shqiptarët nga shqiptarët, dhe për maqedonët nga maqedonët. Nëse qeveria nuk është multi-etnike në qeverisje, atëherë Maqedonia nuk mund të pretendojë agjenda multi-etnike për një rrugë të përshpejtuar integruese.

Nëse nën petkun euforik të qrrënjosjes së diktaturës aktuale, inkurajohemi të braktisim nacionalizmin, pyetja megjithatë mbetet: për cilin nacionalizëm e kemi fjalën? Apo, pse ndodh që sa herë shqiptarët aktivizohen për të realizuar të drejtat e tyre, kjo automatikisht cilësohet si nacionalizëm? Madje, Gellneri, nacionalizmin e konsideron si diçka të domosdoshme për mbijetesën e njerëzve. E unë do të shkoja dhe më tutje duke thënë që sa më shumë duam veten, aq më shumë do të duam dhe të tjerët, të plotë në një identitet të padiskutueshëm kombëtar. Dhe një faktor i tillë shqiptarë në Maqedoni, do të ngriste edhe cilësinë qeverisëse të një formacioni të ri qeveritar.

Mirëpo, këtu tani, kemi të bëjmë me një fakt tjetër që s’duhet mënjanuar. E keqja më e madhe, pavarësisht vuajtjes, nuk vjen nga skenare të grupeve të supozuara “terroriste”, polic të vrarë dhe të shuar kot, e gërmadha shtëpish njerëzish tashmë të pastrehë. E keqja që vazhdon të torturojë shqiptarët e Maqedonisë është se për shqiptarët tashmë janë shterruar alternativat e përfaqësimit politik. Përpjekjet e forcave të reja politike akoma mbeten duke qaluar në pasjen e vizioneve të qarta dhe programeve afirmative politike. Ndërkaq ideologjia partiake akoma sillet e mbështillet rreth mitit të liderit, që fatkeqësisht përfaqëson edhe idenë thelbësore të programit politik.

Të përballur me një gjendje të tillë, shqiptarët në Maqedoni vuajnë pasojat e krizës identitare, me ndryshime emrash, asimilim të tërësishëm të shqiptarëve të krishterë të Rekës dhe pothuajse asgjësim të identitetit katolik të shqiptarëve që dikur jetonin në Maqdoni. Shkupi dikur, si njësi administrative e politike e veprimtarisë së rilindjes kombëtare, sot mjaftohet me një bust të Hasan Prishtinës, të dukshëm vetëm për sytë e shqiptarëve, me një monument të Nënës Terezë perherë të kërcënuar me demolim, dhe me një bust të Josif Bagerit, akoma diku nëpër magazinat e Shkupit 2014!

Të lodhur, të molisur dhe të hutuar tërësisht, faktori shqiptar sot i ka sytë drejt opsionit të quajtur “Zaev”. Lideri i opozitës maqedonase, përqon një energji ndryshimi në masë, një premtim për një rilindje të re kombëtare për Maqedoninë, nën idenë e një Europianizimi që do të shpie vendin në BE. Dhe derisa parimisht, mbështes fuqishëm qytetarët për realizim të drejtash, do të doja të shija po të njëjtin shpirt demokratik, dhe po të njëjtën energji të qytetarëve pa dallim, edhe në kohërat e djeshme, kur shqiptarët vazhdimisht dhe sistematikisht diskriminoheshin nga autoritetet, duke përfshirë periudhat edhe gjatë qeverisjes së SDSM-it. Prospekti për ndryshim nën emblemën e “Zaevit”, duket të jetë i ndritshëm. Por si rëndom me dritën, pas vezullimit fillestar, mbetet pastaj verbëri e përkohshme. Dhe këtë verbëri të përkohshme, Shqiptarët duhet t’a mënjanojnë duke kërkuar ofertë konkrete, që do të përkthehej në fonde të ndara proporcionalisht për komunat me shumicë shqiptare, objekte të rinovuara kulturore për shqiptarët, pozita udhëheqëse në qeverisje, hetim të përsëritur të qytetarëve të dënuar politikisht, dhe thjeshtë, përmirësim të cilësisë së jetës, krahas qytetarëve Maqedonas. Vetëm një shtet që mbron qytetarët e saj pa dallim etnie, do të mund të krenohet pastaj, me pamjet e flamujve të lidhur, tek vallëzojnë bashkë!

Ndërkaq, me Kosovën shtet të pavarur dhe me një Shqipëri agjendash të një shqiptarizmi të paktën kulturor, Maqedonia e shqiptarëve nuk do të duhej të ndjehej bonjake. Nuk mjaftojnë deklarata që dënojnë përfshirjen e shtetasve të njërit ose tjetrit shtet në sulmet në Kumanovë. Shteti mbi të gjitha është i qytetarëve dhe deklaratat do të duhej të përmbanin edhe shqetësimin për fatin e shtetasve të arrestuar, po edhe n’u thënçin “terroristë”!

Nga lufta e fundit në Kosovë, mbajmë përherë më vete bujarinë e bashkëkombasve tonë në Maqedoni, që kishin hapur shtëpitë për strehim. Sot, do të duhej me po të njëjtën bujari, dhe jo romantike, të hapnim zemrën dhe të shfaqnin përnjëmend shjellje shtetërore, të shtetit, krijimin e të cilit, e kishin bërë edhe Kumanovarët!

Lajme të ngjashme

Back to top button