Çdo popull e ka demokracine qe e meriton

Kjo thënie e famshme e Hegelit është tashmë një e vërtetë e pergjithshme historike që është dëshmuar asokohe dhe po dëshmohet edhe në ditët e sotme.  Një filozofi e tillë politike që në shikim të parë duket e thjeshtë, njëkohësisht shpreh një mendim shumë të thellë në vetvete. Edhe ngjarjet e fundit në Maqedoni, nëse reflektohen në këtë prizëm, dëshmojne pikë për pikë këtë filozofi politike hegeliane.

Në fakt, një popull që nuk proteston dhe nuk ngren krye për padrejtësitë dhe diskriminimin që i behet nga përfaqesuesit që i ka zgjedhur me dorën e vet, njëkohësisht dërgon mesazhin se pajtohet me këtë politike arbitrare dhe hileqare, me çka e dëshmon edhe pa/pjekurinë e vet politike, pasi që me vetë heshtjen e vet disavjeçare ka dhënë pelqimin për situatën politike në të cilën sot gjendet.

Filimisht, nuk kam dashur personalisht ta pranoj realitetin e kësaj filozofie politike defetiste por edhe realiste si për vendin, ashtu edhe për popullin tim, dhe në vetvete e kam shtypur ndjenën reale të pa/fajësisë per mos/veprimin personal në drejtim te ndërgjegjësimit racionalist të nacionalpolitikes shqiptare, me shpresën se koha punon në favorin tonë dhe se gjërat do te vijne vetvetiu në binarë të vet.

Por ndjenja e fajësise personale që ma gërryen shpirtin çdo dite dhe proteston brenda meje, për shkak të heshtjes sonë kolektive intelektuale për realitetin që na rrethon, s’më lë te flej i qetë dhe më bën nganjëherë që këtë dhimbje dhe ndjenjë fajësie ta ndaj me të tjerët, pavarësisht se nuk bën efektin e vet momental, por së paku e qetëson ndergjegjen time, duke i thënë vetes se megjithate bëra diçka dhe e thash të verteten time, që kryesisht has ne vesh te shurdher, si të politikes ashtu edhe në masën e gjerë popullore!

Nje zë tjetër më thotë që të hesht, se kjo nuk është puna dhe obligimi im! Kur heshtin të tjerët qe e kanë, fugurativisht thënë “barkun e zbrazët” dhe s’kane t’u japin bukë femijeve të tyre, kur heshtin të gjithë sepse i japin perparësi interesit personal ekonomik përpara atij të pergjithshem nacional, kur heshtin të gjithe perpara interesit personal për punësimin e një anëtari të familjes, dhe njëkohësisht heshtin nga droja se e humbin vendin e punës ‘të fituar me aq mund dhe djers’; kur heshtin që të mos u hidhërohen familjaret e afërt me pushtetin, të cilëve një ditë detyrimisht do të duhet t’u trokasin në derë, kur protestën e tyre e bëjnë nëpër kafene por s’kanë guximin këtë ta thonë ne publik, pse te mos heshtësh edhe ti, që personalisht i ke realizuar ëndrrat tua jetësore dhe më ketë vetem rrezikon të kundërtën?!

Fundja kur këtë situatë politike e bëjnë ‘kabull’ të tjerët, ti duhet ta besh dyherë, sepse fundja edhe i ke paralajmëruar me kohë se në ç’drejtim është nisur treni, dhe s’të ka degjuar kush?!. A s’duhet që edhe ti të heshtesh kur heshtin ata që janë të zgjedhur të flasin dhe të na mbrojnë nga të tjerët dhe jo të shndërrohen në kërcënim ndaj zërit tënd edhe ashtu të ngjirur? Pra ndërgjegjen e ke të pastër, dhe hesht mos fol?!

Por si ta ndal dhe qetësoj zërin tjetër po aq të arsyeshëm, që më thotë dhe me qorton, se ‘ti je intelektual dhe s’guxon te heshtesh por e ke obligim ta thuash të vërtetën tende dhe ta ndash me të tjerët! Si mund të heshtesh kur i sheh për ditë bashkëqytetarët e tu te ngelur pa shpresë dhe perspektivë në këtë vend, dhe e shohin ardhmërine sa më larg prej vendlindjes? Si mund të heshtësh kur frigohesh per ardhmërinë e fëmijëve te tu të cilët, edhe nëse mbesin në vendlindje me meritën tënde, s’do të kenë me kë të bashkëjetojnë, pasi pothuajse të gjithë do të jenë shperngulur?

Si mund të heshtësh kur e sheh se përfaqsuesit e popullit tënd me politikën e tyre të mbrapshtë i kanë devalvuar te gjitha vlerat e kuptimit të demokracisë, dhe i kanë zevendësuar me antivlera në çdo porë të jetës, ku nuk dihet më kush është i ditur apo pjesërisht i ditur, dhe ti si punëtor arsimi s’kë bërë asgjë për ta penguar këtë? Si mund të heshtesh kur me heshtjen tënde ua liron rrugën të tjerëve të të përfaqësojne dhe të të mbrojnë nga hilet dhe dinakëritë e kundërshtarëve të përhershëm të popullit tend?

Por si te heshtim tani kur e vërteta ka dalur në shesh? Si mund të mos kërkojmë llogari ndaj atyre që kane heshtur përpara këtyre padrejtësive që i janë bërë popullit të tyre? Sipas ligjeve dhe rregullave demokratike, edhe mosveprimi i tyre është politikisht i dënueshem, sepse në këtë mënyrë kanë lejuar që gjërat të rrjedhin në drejtim të gabuar! Së paku të na kishin treguar ‘në ç’dert të madh paskan qenë’ dhe ta ndanin shqetësimin me ne, zgjedhësit e tyre, por jo të na bindnin se gjërat shkojnë ne drejtimin e duhur, se ekziston vullnet nga partneri i tyre politik për tejkalimin e mosmarrëveshjeve nga ana e ngatërrestarëve qeeëllimkëqinj, dhe për realizimin kësisoj të premtimeve të tyre politike sa i përket të drejtave tona nacionale!

Valle a kemi mbetur në këtë derexhe, që nje parti opozitare maqedonase të shqetësohet më shume për interesat tona nacionale? Fundja, kjo as që e ka për obligim ta bëjë këtë, sepse ajo si parti e ka bërë punën e vet-i ka ngritur qytetarët e vet më këmbë për t’i thënë jo, keqpërdorimit të pushtetit, pra e ka arsyetuar ekzistencën e vet si parti opozitare! Bëhet pyetja, ku janë opozitarët tane ta bëjnë të njejtën, për t’u thënë mjaft gënjeshtrave dhe mashtrimeve të perfaqësusve pozitarë, të cilët kohë pas kohë e bëjnë edhe punën e opozitarit, në mungesën e tyre?!

Përse nuk kërkojnë të takohen me ta si bashkëkombas dhe të përpunojnë strategji dhe platformë të përbashkët brendanacionale dhe pastaj të ofrojnë dorën e bashkëpunimit për ndërtimin e një plaftorme të përbashkët ndërnacionale, me bashkëqytetarët tanë opozitare që tani më shumë se kurrë kanë nevojë të ofrojnë dhe pranojnë një marrëveshje të tillë politike?

Pastaj, nëse perfaqesuesve tanë në pushtet u ka mbetur sadopak ndërgjegje, vallë pse nuk e rishqyrtojnë politikën e tyre dhe t’i ndajnë hesapet me partnerët e tyre hileqarë dhe të pabesë, duke dërguar kështu mesazhin se pabesia shpërblehet me të njëjtën masë, dhe këta të fundit është dashur të mendonin me kohë për këtë, po ta kishin dashur dhe respektuar lojalitetin tonë! Të veprojne tani sa nuk është vonë, dhe situata të del nga kontrolli dhe si pasojë, njerëzit e dëshperuar të mbeshteten, tek ata që propagandojne masa politike më radikale dhe më fataliste, të cilat nuk i dëshiron askush por nuk vepron për t’i ndaluar po askush!

Lajme të ngjashme

Back to top button