Rrëfehet djali i Xhafer Zymberit: Babai im nuk ka pasur kurrfarë lidhje në Maqedoni (Video)

Xhafer Zymberi është raportuar nga mediet si një prej personave që dyshohet të jetë vrarë nga forcat maqedonase në Kumanovë. Mirëpo familja e tij nuk di ende asgjë për të.

E tëra që dinë ata janë lajmet që kanë lexuar nëpër mediumet e ndryshme pasi që as qeveria maqedonase e as ajo kosovare nuk i kanë njoftuar për asgjë të vetme.

Madje Djali i Xhafer Zymberit për zeri.info, ka thënë se babai i tij është nisur për Shqipëri para dy javëve dhe që nga ajo kohë nuk është lajmëruar më.

Ai shton se babai i tij nuk ka pasur kurrfarë lidhje me Maqedoninë e as që e ka përmendur ndonjëherë problemin e shqiptarëve atje. Sidoqoftë si familje duke qenë se informacioni i vetëm që kanë për të janë prej mediumeve dhe janë të shqetësuar për informatat që ato po plasojnë.

“Ati im para dy javëve më ka thënë se po shkoj deri në Shqipëri dhe që nga ajo kohë më nuk kemi pasur ndonjë kontakt me të, deri sa e pamë në lajme për të në Maqedoni. Të them të drejtën këto janë lajme shqetësuese për familjen se nuk dimë as ne diçka të saktë. Ai është nisur për Shqipëri dhe asgjë tjetër nuk dimë.

Ne nuk kemi kontaktuar me të brenda këtyre dy javëve asnjëherë. Ai nuk ka pasur asnjë shok në Maqedoni madje nuk e ka përmendur asnjëherë Maqedoninë. Ai nuk ka pasur ndonjë shoqëri as me prestarët e UCK-së. Ai asnjëherë nuk ka diskutuar për shqiptarët dhe problemet në Maqedoni”, ka thënë djali i tij transmeton Zeri.info.

Ndërkohë ai ka shtuar se edhe pse telefonat po i bëjnë ai nuk po e hap atë.

“Telefonat po i bëjnë por nuk po hap tash e dy javë nuk kemi kontaktuar me të. Në familjen tonë jetojmë unë me vallun, motrën dhe nënën. Ne kemi informacione nga mediet që është identifikuar si i vdekur mirëpo nuk e dimë saktë.

Nuk kemi marrë informacione zyrtare e as trupi i tij nuk na ka ardhur. Askush, as polici askush nuk na ka dhënë asnjë lajm për të. Asnjë informacion nuk kemi për të. Ne jemi interesuar për të shkuar në Prishtinë për të pyetur për ndonjë informacion shtesë mirëpo asgjë nuk kemi marrë”, ka thënë djali i Xhafer Zymberit./Zeri/

Lajme të ngjashme

Back to top button