A ekziston vërtet kjo UÇK e re apo dikush po zgjidh punët e tij duke ua ndezur zjarrin shqiptarëve?

Nga Ruben Avxhiu, kryeredaktor i Illyriapress.

Cila është “Ushtria Çlirimtare Kombëtare” me 3 deklarata në jetën e saj?
Nuk është UÇK-ja e Kosovës siç u pëlqen ta “ngatërrojnë” në Beograd dhe Moskë, se ajo u shpërnda pas luftës në Kosovë.
Nuk është UÇK-ja e Maqedonisë se udhëheqësit e saj janë, në pjesën më të madhe, anëtarë të qeverisë apo aleatë të koalicionit të kryeministrit Gruevski.
Nuk janë as UÇK-ja që u riformua pas Marrëveshjes së Ohrit e që ka vepruar në rajon, nga ish-shokët e Ali Ahmetit që nuk u kënaqën me zgjidhjen. Se po të ishin ata nuk do të kishin vetëm 3 deklarata në arkiv.
Kjo është një dorë e re.
Po dora e kujt?

Patriotë shqiptarë që duan bashkimin e trojeve? Të rinj mendjekrisur që duan një aventurë? Burra të një kohe tjetër që kanë zbuluar më në fund internetin? Shqiptarë besnikë të Gruevskit që duan ta shpëtojnë nga situata duke ia dhuruar një konflikt të panevojshëm sa për të pushuar protestat në rritje të opozitës? Njerëz të papërgjegjshëm që rrezikojnë jetë njerëzish dhe paqen e një populli për një çast gazi e adrenaline? Shërbime agjenturore të huaja që duan rrëmujë në Maqedoni? Agjentë grekë që duan të përmbysin shtetin që nuk ndërron emrin? Agjentura ruse që do një vatër të re zjarri për të hequr vëmendjen nga Ukraina? Agjentë organizatash terroriste e qeverish me pikëpamje ekstremiste që duan një vatër të re zjarri si ato në Lindjen e Mesme: Pse të vijnë shqiptarët këtu për të luftuar kur mund t’ua çojmë luftën aty ku janë? Agjentë serbë që duan destabilizimin e rajonit për të rifutur Kosovën në ekuacion, në një kohë kur BE po i shtrëngon drejt njohjes?

Ballkani për nga pasioni për teori komploti ngjan më shumë nga Lindja sesa nga Perëndimi. Edhe sepse me të është luajtur shumë, duke përfituar nga mëritë e vjetra që mezi shuhen dhe që vlojnë nëndhe edhe në kohë të mira, paqeje dhe bashkëpunimi.
Ballkani është një udhëkryq identitetesh, ndikimesh dhe interesash. Të gjithë lojtarët që përfshihen e duan shumë, po për asnjë nuk është vital. Sigurisht lojtari më serioz dhe më i interesuar mbetet Bashkimi Europian dhe pastaj SHBA për arsyen e thjeshtë se kanë shpenzuar tashmë shumë para, energji dhe kapital politik e diplomatik për të siguruar paqen dhe qendrueshmërinë.
Si BE ashtu edhe SHBA nuk kanë më rezerva financiare apo rezerva vullneti e durimi për t’ia nisur nga fillimi. Po faktorë të tjerë kanë. Sidomos ata që dolën të humbur, apo preferojnë të shohin më mirë kaos sesa zgjidhje në Ballkan.
Pikërisht për të mbrojtur investimin e tyre të madh në rajon, SHBA dhe BE nuk duhet të përqeshen tani nga shërbime të huaja, apo udhëheqës të rajonit që të asgjësojnë arritjet e rëndësishme.

Shqiptarët duhet të kenë kujdes që zhvillimet të mos cënojnë fitoret e mëdha historike të arritura. Ndërkohë që mbetet ende shumë punë për të bërë, le të mos harrojmë sesi kemi qenë vetëm 20 vite më parë.
Mbi të gjitha, nuk duhet të lejojmë që të luhet në kurrizin tonë. Kur dikush flet në emrin e shqiptarëve, duhet ta dimë se kush është. Çdo kush mund të ulet në kompjuter, të shkruajë një tekst e ta shënojë në fund: UÇK.
Deklarata e parë e kësaj UÇK-së së fundit ishte nënshkruar me firmën e presidentit të Bankës Europiane. A janë seriozë këta njerëz apo po tallen me idenë se shqiptarët janë kaq të traumatizuar sa me ta mund të tallesh lehtë.
Kjo deklaratë e tretë e nënshkruar nga UÇK thotë se sulmuan sot në Kumanovë për të ndalur terrorin që po vazhdon prej ditësh kundër popullatës në Kumanovë.

Po ku është ky terror? Pse nuk jemi njoftuar më parë? Sot nuk është viti 1990. Sot, shqiptarët në Maqedoni kanë njerëz me pozita në polici e ushtri, në rangje qeveritare, njohin personalisht ambasadorët më të fuqishëm të botës, kanë njerëz që shkojnë në Kongresin amerikan dhe në Departamentin e Shtetit, kanë dy qeveri të rajonit që janë shqiptare, kanë televizione, gazeta e portale që vrapojnë edhe mbas një mize që fluturon, që do ta transmetonin me të njëjtën shpetësi që dhanë vrasjen për punë femrash në një klub nate. Në mos jo për patriotizëm do ta bënin për të rritur numrin e shikuesve, lexuesve apo vizitorëve.
Sot, jetojmë në kohën e rrjeteve sociale Facebook, Twitter, Instagram, ndërsa kjo deklaratë e UÇK-së duket sikur vjen nga koha e fakseve. Nëse kjo UÇK dëshiron që të merret seriozisht, ajo duhet të respektojë më shumë popullin duke informuar më qartë.

Për shembull, kë sulmoi UÇK në Kumanovë? Se e vetmja që po vuan aty nga lajmet duket se është popullsia shqiptare. Çfarë sulmi është ky, kur viktima më e njohur thuhet se është një vajzë 8-vjeçare.
Pse po thonë disa shqiptarë në rrjetet sociale se kjo është puna e Gruevskit që e di sepo i vjen fundi nga demonstratat e opozitës dhe si Millosheviçi dikur po përpiqet të përdorë gogolin e shqiptarëve për të hequr vëmendjen nga maskarrallëqet që iu zbuluan në bisedat e regjistruara.
Në biseda dëgjuam edhe shqiptarët në pushtet që ia krehin bishtin e që nga pozita në opozitë janë përfshirë në dallaveret e pushtetit. A po ndjehen të rrezikuar këta pushtetarë shqiptarë nga rënia e Gruevskit? Mbase Gruevski mendon se po ra nga pushteti e pret burgu. Ministrja Jankullovska paska manipuluar informacionin për një të ri maqedonas që u vra nga policia. Çfarë tjetër është manipuluar aty? Po çështja “Monstra”? Po shqiptarët në pushtet si e mendojnë të ardhmen? Ata janë pushtetit pse nuk bashkohen me opozitën nëse janë vërtet të fyer nga këto zbulime?

Maqedonia në këto çaste të vështira ka më shumë pyetje se përgjigje.
Të thërrasësh për qetësi nga larg është e lehtë, kur je në terren nga ana tjetër, çdo gjë mund të rrokulliset shpejt.
Një maqedonas nga opozita shkruante se Gruevski pas kësaj do të lëshojë gangsterët të sulmojnë shitoret e shqiptarëve.
Opozitarët në Maqedoni këmbëngulin se qytetarët që po evakuohen nga Kumanova janë edhe maqedonas, se po evakuohen duke ndihmuar njëri-tjetrin, shqiptarë e maqedonas, se dikush po kërkon t’i fusë në luftë për motive politike.
Në orët dhe ditët që vijojnë do të përpiqemi të kuptojmë se kush thotë të vërtetën dhe kush gënjën në Maqedoni. Deri atëhere, le të shpresojmë për qetësi dhe durim. Nganjëherë paqja në Ballkan është vetëm pushim deri në luftën tjetër. Po nëse lufta bëhet jo për interesat dhe aspiratat e njerëzve, por për hir të karriges së një pushtetari të korruptuar, atëhere ajo luftë është vetëm një tragjedi të cilën nuk e meriton asnjë popull.

Lajme të ngjashme

Back to top button