La Famiglia vret Maqedoninë

Një deja-vu konflikti për të mbetur në pushtet. Ky është Gruevski. Një diktator i përmendoreve që po vret për të mbetur një hero vrasës.

Një skenar i njohur. Asnjë risi nga ajo që jemi mësuar të shohim në Ballkan. Një taktikë që është përdorur në Kroaci, në fillim të luftës në Plitvice. Pastaj, në Bosnjë, në Sarajevë. Në Kosovë, është rasti i njohur i Pandës, kur sigurimi serb vret qytetarët serbë në një kafe në qytetin e Pejës, duke i vrarë dhe flijuar ata, për të nisur, pastaj, luftën në Kosovë. Pak a shumë këto janë krizat që e bënë shkrumb Ballkanin për dy dekada.

Rasti i ngjashëm po del të jetë edhe ai i vrasjes te Liqeni. Kjo ka qenë nisma e një konflikti të paralajmëruar nga një autokrat që e ka ditur se do t’i vijë dita kur do të përballet me hajni dhe me shkelje të rregullave të shtetit.

Ndërkombëtarët e quajtën Kryeministër i Përmendoreve, kurse rajonalët Autokrat dhe Hajn Ballkanik.

Po çfarë po ndodh në Maqedoni, respektivisht në Kumanovë?!

Ka disa ditë që Xhemajl Ahmeti, gazetar nga Zvicra, me një ekip ndërkombëtar gjendet në Kumanovë. Po mundohen të bien në kontakt me njerëz të UÇK’së që paskan vendosur të luftojnë. Kanë ecur gjithandej dhe kanë folur me shumë njerëz.

Nuk ka asnjë indikacion konkret të jetë çuar dikush në luftë. Aty-këtu thonë të kenë parë grupe të uniformuara, mirëpo sa më shumë që thellohen me pyetje, del puna se gjithçka është rrëfim i zbrazët.

Kishin udhëtuar një ditë më herët në Kumanovë, sepse Qeveria kishte ngritur një ballon informate se do të ketë sulm natën. Mirëpo, sulmi kishte ndodhur në orën 4 e disa minuta.

Më herët, me dylbi kishin vërejtur se ishte e ndarë ushtria dhe policia në dy pjese. Kur kishin filluar sulmet, gjithçka dukej sikur me plumba gome gjuanin njëra-tjetrën. Më vonë, iu kthyen lagjes dhe filluan të gjuajnë shtëpi. Dhe atë sikur t’i kishin kryqëzuar të gjitha shtëpitë natën për t’i shënjuar pastaj me plumba.

Policia dhe ushtria arrestojnë dhe vrasin dhe askush s’e di se me kë luftojnë. I gjuajnë shtëpitë e shqiptarëve, shkruan Xhemajli, dhe mezi presin që dikush nga shqiptarët të rezistojë duke mbrojtur shtëpinë e tij, për ta gjuajtur dhe bombarduar.

Ky është rrëfimi i mëngjesit të ditës së sotme.

Këtu bën dikush lojë te piste dhe do me çdo kusht t’i shtyjë shqiptarët në luftë. Të huajt nuk janë të sigurt. Kosova dhe fetarët nuk janë në lojë. Kush mbetet? Gruevski dhe Mijalkov! Dy kushërinj, njëri Kryeministër e tjetri Shef i Shërbimit Maqedonas.

Të dy kanë gjetur një moment shantazhi për Kosovën, si gjithmonë kur pihet raki nga fqinjët ballkanikë dhe i zënë në gojë shqiptarët. Por, jo. Nuk është ky vetëm moment dehjeje. Jam i sigurt se është veprim i shtyrë nga arroganca për të krijuar një atmosfere tensioni, siç ka bërë Gruevski me nacionalizmat primitive të tij me të gjithë fqinjët dhe me përmendoret qesharake në mes të Shkupit.

Kryeministri maqedonas si duket është mbyllur në botën e tij dhe ka hapur luftën konspirative ndaj të gjitha shteteve fqinje.

Personalisht, kam besuar në një idealizëm europian për jetën dhe rendin e ligjin, për lëvizjen e lirë të kombeve dhe qytetarëve të Ballkanit, por më duket se sa herë që lexoj vendime kërcënuese të shtetit maqedonas, ata nuk më ngjajnë as në europianë dhe as në një shtet dinjitoz që ka fuqinë të ruajë atë që bën. Dhe jam aq larg nga besimi im në idealizmin ballkanik të mbështetur nga Europa.

Dhe, duke shpalosur ashpërsinë e dinjitetit të munguar të një shteti, i mbështjellë me arrogancë primitive nacionaliste, prej kohësh sa është paqartësia me shtetin e Kosovës kam folur me shumë njerëz, dhe sa herë kam menduar t’i kritikoj veprimet e Gruevskit dhe Ali Ahmetit si pjesë e Qeverisë së tij, zbuloja arsyet për të miratuar heshtjen, sepse jetojnë në përrallën e pafuqisë së fuqishme. Por, shtrohet pyetja, sa është kjo përrallë e rrezikshme për pafuqinë e fuqishme të dy liderëve, për jetën e qetë në gjithë regjionin.

Dhe gjithmonë po gjej veten të dyshoj, jo në Qeverinë si sistem, por në njerëzit që ndërtojnë sistemin e këtij shteti që po kalbet nga nacionalizmi i përmendoreve dhe dëshirës për të qenë të fuqishëm. Natyrisht, në pafuqinë e tyre.

E vërteta është se ndaj Qeverisë Maqedonase, Perëndimi është treguar, në mënyrë skandaloze, i “paaftë” për të vepruar.

Kjo sjellje le përshtypje të rreme për luftën e europianëve për rend dhe ligj në Ballkan. Kështu Qeveria e Maqedonisë dhe stafi i saj po investojnë në gjuhën e panjohur. Në dëshirën e tyre që nuk e dimë dhe nuk e shohim se ku po i çon dhe ku po na çon.

Në logjiken aktuale, kjo Qeveri autokratike po dërgon mesazhe të panjohura. Po dërgon luftë.

E panjohura është armiku më i madh i racionalitetit. Është dreqi vetë në Ballkan. Dhe ky dreq, i cili interpretohet në mënyra të ndryshme nga ata që dëshirojnë konflikt me gjithë fuqinë që kanë, mund ta rikthejë gjuhën e zakontë që bëhet në Ballkan. Ndarja, ikja, konflikti…

Nëse, siç e kam edhe frikën, e papranueshmja do të pranohet edhe një herë, e patolerueshmja do të tolerohet edhe një here, dhe edhe një herë duke ulur kokën kinse do respektojnë mirë dhe tolerancën, në emër të stabilitetit dhe dëshirës europiane, atëherë duhet të reagojmë me dhimbje dhe zemërim për atë që na ofron Gruevski.

Zgjatja e situatës së paqëndrueshme ka të bëjë me njerëzit që udhëheqin Maqedoninë-Gruevskin si udhëheqës të vërtetë dhe Ali Ahmetin si karikaturë e tij. Të dy do të bëjnë gjithçka për të mbetur hero të kauzës. E Gruevski po bën mëkatin e radhës, po vret njerëz të pafajshëm për të ikur nga faji dhe mëkati i tij. Ai e ka vendin në burg. Apo, do të ndodhë si me gjithë diktatorët. Do të shkojë në Rusi. Po ku do të jetë Ali Ahmeti për fajin e tij?

Marrë nga: Politiko.net

Lajme të ngjashme

Back to top button