Përqafimi me frigë

Cingërova në citofon. Pas pritjes së gjatë, kur me frigë mendova të pyes ndonjërin nga emrat e rradhitur, m’u kujtua që Rajka më kishte folur për distancën ndërmjet komshive: këtu askush për askë haberin s’e ka, s’bëjnë muhabete , vizita hiç e më hiç, vetëm përshëndeten me mirësjellje në ashensor apo te shkallët që shkëlqejnë nga pastërtia.  Kur nisi t’më gërryejë dyshimi, nga vrimat e hirta doli zëri i ulët, dukshëm i ndryshuar i mikes 90 vjeçare, merrte frymë rëndë. U prezantova.

-Do shkoj në ekspozitë dhe do kthej të të shoh, a je e lirë? Ndjeva që i duhet kohë të ujdis pamjen e vet, pasi bën pjesë në sojin e vjetër të zonjave për të cilat dukja e mirë është çëshje bontoni.

Kishte ende kohë deri në fillimin e perfomansit, mora kthesën për rrugën kryesore Knjaz Mihaillova, por kafeja e mëngjesit në Beograd pas një viti mungese nuk e kishte gëzimin e zakonshëm. Në përpjekje të përthith tingujt e qytetit si ngaherë, ende më shumë më bëhej sikur e dëgjoja zërin e lodhur me ndërprerje të mikes së vjetër. Kalova rreth Parkut të studentëve, pushim i shkurtër në ulëse, mesditë e ngrysyr me pika të imta shiu, mandej pushuan, u ndjeva çuditërisht e huaj nën shiun e rrallë.

Performansi përbëhej nga muzika, era e temjanit dhe tre çifte hypur mbi tarraba druri që shikoheshin pandërprerë. Asgjë nuk ndodhte ndërmjet çifteve përpos shikimit, më vonë u përqafuan fuqishëm: ajo i mbështjell krahët rreth qafës së tij, Ai e shtrëngon fort për beli, ndihej në ajër edhe përkatësia edhe një hamendje instinktive nga humbja. Në parim artet konceptuale më shumë më ngjajnë me teatër modern se sa me ngjarje figurative, por atë ditë kisha nevojë për paketim të tillë emocionesh.

U ktheva tek Rajka Radoiçiq, shkencëtare e dalluar, dekada të tëra e kushtuar hulumtimeve gjeologjike, me punë të shpeshtë terrenike tejembanë Jugosllavisë dhe jashtë vendit. Akoma merret me shkencë, punon edhe si mentore joformale e studiuesëve të rinj që përfitojnë nga përvoja dhe njohuritë e saj unikale. Pjesën tjetër të kohës ia kushton sistemimit të materialeve të punës së saj apo të kolegëve të ndjerë që nuk kanë arrirë ta përfundojnë atë lloj borxhi ndaj biografisë dhe ndaj branshës së tyre.

Takimet me Rajkën, të patjetërsueshme gjatë çdo vizite në qytetin e saj, zgjatnin me orë, përfshirë dhe takimin e parë pas njohjes spontane në rrugë. Zhytesha në shpjegimet e saj dhe për çudi e merrja vesh kur fliste për mikrofosilet, mbetjet e organizmave, të dhënat stratigrafike. Mendjet e mëdha dijnë të flasin kuptueshëm dhe të zgjojnë kureshtje bile edhe te laikët, kurse komplikojnë ata që i kanë qejf “efektet speciale”.

Kuzhinën poashtu e kishte merak, mua gjërat më të thjeshta më dukeshin më të mirat: kajmak, tost lyer me tëlyn, supat minestrone. Shpesh i dukesha e lodhur nga ecejaket nëpër Beograd, dhe pa më pyetur më shtronte diçka të shijshme “për ta rikthyer energjinë”.

Mikja kësaj rradhe mu duk e dobësuar, e lodhur prej doktorëve, me dhembje të forta, me ilaçe sa për lehtësim momental. Ecte me shkop, shtati dikur i hedhur kishte marrë trajtën e plakave. Tha që lexon me llupë, ndryshe nuk mundet, kjo i pengon më së shumti. Më tregoi se me llupë e ka lexuar edhe romanin “Vitet e urithit” nga Kim Mehmeti. U kënaqa, thotë, ua rekomandova miqëve, a ka ky Kimi diçka tjetër serbisht?

Atë ditë ndejta më shkurt se rëndom. Rajka kishte nevojë të provojë të rimarrë veten me episode gjumi.

Duke u lëkundur mbi shkop, më përcolli deri te dera, u përqafuam. Tek shkallët që shkëlqenin nga pastërtia dhe ftohtësia ndër njerëz, para se të hyja në ashensor, u ktheva edhe njëherë kaj mikja e mbështetur te dera. Iu afrova, përqafim i fundit para ndarjes dhe në moment ndjeva frigën instinktive të humbjes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button