“Vetëvendosje”: Shqiptarët duhet të mbështesin protestat kundër regjimit të Gruevskit

Lëvizja “Vetëvendosje” nga Kosova ka dalë më njoftim sa i përket situatës momentale në Maqedoni, me ç’rast fton shqiptarët që të bashkohen në protestat kundër Nikolla Gruevskit.

Nga kjo Lëvizje thonë se janë duke i ndjekur demonstratat në Maqedoni dhe se solidarizohen me qytetarët.

“Bëjmë apel, sidomos për shqiptarët që nëse ata janë të gatshëm, të dalin dhe të marrin pjesë në protestat kundër qeverisë kriminale, sepse atëherë ata do të jenë të rëndësishëm për ndërtimin  ardhmërisë së vendit”, thuhet në njoftim.

‘Vetëvendosje’ gjithashtu vlerëson se shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të kënaqen me asgjë tjetër përveç barazisë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre nga opozita e tanishme apo nga kushdo qoftë që në të ardhmen do të kërkojë bashkëpunim me shqiptarët që të arrijë në pushtet.

“Shqiptarët në Maqedoni nuk janë pakicë, ata janë popull i cili duhet t’i ketë të gjitha të drejtat politike dhe përgjegjësit që i takojnë. Tani është e rëndësishme të kuptohet që asnjë shqiptar, dhe asnjë parti politike shqiptare si BDI nuk do të ketë arsyetim për të mbrojtur Gruveskin, i cili u shfaq si përndjekës i shqiptarëve”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu nga kjo Lëvizje thonë se përgjimet e publikuara kanë shkatërruar legjitimitetin e pushtetit dhe se Gruevski ka ndërtuar një regjim bizar të shërbimeve sekrete, spiunazhit, brutalitetit policor dhe diskriminimit institucional të shqiptarëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button