Shtëpia e Bardhë i bind kongresistët që të pranojnë sulmin kundër Sirisë

Një zë i fuqishëm për veprim kundër Sirisë, senatori republikan Xhon  Mekkejn tha për rrjetin CBS,  dje se goditja vetëm me disa raketa është thjesht një gjest simbolik. Ai tha se Presidenti duhet të hartojë një plan për Sirinë që përfshin një kërcënim për të çliruar vendin nga Bashar al Asadi.

Ligjvënësit amerikanë thonë se janë larg arritjes së një qëndrimi unik lidhur me përgjigjen amerikane kundër qeverisë siriane. Ligjvënësit bënë komente pasi u informuan nga zyrtarë të administratës Obama mbi situatën në Siri.

Kongresi nuk rifillon punimet deri më 9 shtator, kur mbaron sezoni i pushimeve. Por disa dhjetëra ligjvënës erdhën në Uashington për të marrë pjesë në sesionin e informimit në Kapitol, ku zyrtarë të administratës paraqitën argumentet e tyre për sulm ushtarak kundër Sirisë.
Më pas, disa ligjvënës thanë se ishin të bindur se regjimi sirian kishte përdorur armë kimike. Por ligjvënës si demokratja Xhenis Han u shprehën se ende ka pikëpyetje të shumta. “A është kjo arsye për të hapur luftë? Cilat janë objektivat e luftës? Çfarë autoriteti po i japim Presidentit në këtë rast”, tha ajo. Han thotë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të veprojnë të vetëm: “Ku është komuniteti ndërkombëtar nëse sulmi me armë kimike është një akt aq revoltues, nëse ky është një akt i urryer për të gjithë”, pyeti Han.

Ligjvënësi republikan Skot Rigell vlerësoi vendimin e presidentit për të kërkuar miratimin e Kongresit, por tha se për momentin ai do të votojë kundër autorizimit. “Përgjigja ime do të jetë ‘Jo’ sepse ende e kam të paqartë se cili është synimi përfundimtar, çfarë misioni synojmë të përmbushim”, tha ai.
Kishte edhe të tjerë, si ligjvënësja demokrate Sandi Levin, e cila mbështet ndërhyrjen ushtarake kundër Sirisë. “Kam besim se anëtarët e Kongresit do të japin miratimin për veprim. Nëse nuk veprojmë, dërgojmë mesazhin e gabuar”, tha ajo.

Të shtunën, presidenti amerikan Barak Obama tha se nuk ka nevojë për leje nga Kongresi për të dhënë urdhër për sulm, por e mendon të vlefshëm mbështetjen e përfaqësuesve legjislativë në Kongres.

Para sesionit informues dje, Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Keri dha intervista për rrjete të ndryshme televizive për të prezantuar të dhënat që kishte zbuluar administrata lidhur me sulmet kundër civilëve pranë Damaskut.
“Mostra flokësh dhe gjaku nga individë të ekipeve të ndihmës së shpejtë që shkuan të parët në skenën e ngjarjes në lindje të Damaskut, rezultuan pozitive për gjurmë gazi sarin”, tha Keri.

                        

Lajme të ngjashme

Back to top button