Malmo, qyteti ku ndërgjegjësimi ndaj mjedisit vërehet në çdo hap

Suedia qëndron në ballë të vendeve që i kushtojnë kujdes të madh ekologjisë dhe mbrojtjes së mjedisit, ndërsa disa qytete në vend me të vërtetë janë unik në botë. Malmo ka lagje të tëra të tilla si Augustenborg ku ndërgjegjësimi mjedisor vërehet në çdo hap, raporton Anadolu Agency (AA).

Shërbimet komunale i mbledhin mbeturinat me ndihmën e karrocave të kuajve, ndërsa punën e punëtorëve komunalë, kryesisht e bëjnë suedezët shumica e të cilëve kanë përfunduar fakultetin, por kjo punë i bën të lumtur pasi paguhen jashtëzakonisht mirë, prandaj këtë punë e bëjnë me shumë kujdes dhe dashuri për mjedisin.

Autoritetet e qytetit mbështesin themelimin e shoqatave vullnetare që rregullojnë mjedisin ose mbjellin lule, fruta dhe perime prej të cilave kanë përfitime të shumta, dhe më e rëndësishme është se banorët njihen me njëri-tjetrin dhe bisedojnë në vend se të rrëfehen para psikologëve, sipas faqes zyrtare të shoqatës “Odlargruppen”.

Malmo gjithashtu është një qytet që ka gjetur zgjidhje për përmbytjet, ka përmirësuar biodiversitetin dhe është bërë shembull për tërë botën.

Gjithashtu i njohur është rasti i qytetin kinez multimilionësh, Tangshan, i cili është ndërtuar në bazë të eksperiencës nga Malmo. Presioni në qytetet kineze sot është i madh me 15-20 milionë banorë të ri çdo vit. Tangshan Bay Eko-City është një pjesë e re e Tangshan, i cili është ndërtuar për të zgjeruar kapacitetin e lagjeve të reja dhe vendet e punës. Në këtë kanë marrë pjesë ekspertë suedeze dhe është marrë shembulli suedez i ndërtimit të sistemit të kanaleve të lidhura. Nëpërmes kanaleve, uji drejtohet në nivele të shumëfishta – nivel komunal, nivel rrethi ose nivel periferik,  për të ruajtur ujin që mund të përdoret për ujitje të gjelbërimeve, parqeve dhe fermave.

Në Malmo, lagja Augustenborg është shembull i shfrytëzimit të ujit, përpos kësaj kjo lagje në të kaluarën kishte probleme të mëdha me përmbytjet. Ky problem është zgjidhur pikërisht me çatinë më të madhe të gjelbër në Skandinavi, e cila përfshin 9.000 metra katrorë dhe me sisteme të kanaleve të lidhura. Çatia e gjelbër mbledh shiun, i cili në masë të madhe ka ulur problemin e përmbytjeve.

Diversiteti biologjik në fshat është rritur me 50 përqind në sajë të çatisë së gjelbër dhe sistemit të kanaleve të lidhura. Përveç kësaj, ajo ka marrë pamjen e saj të bukur dhe moderne.

Rosa, shpendët detar dhe shumë zogj të tjerë dhe insekte, pastaj lepujt, që të gjithë lirisht lëvizin në zonat e gjelbra, janë disa nga skenat e përditshme. Disa ndërtesa tashmë kanë instaluar çati solare, dhe aktualisht është duke u ndërtuar një ndërtesë e madhe, e destinuar posaçërisht për konceptin e jetës së shëndetshme, kursimit të energjisë dhe një ballkoni special të madh, të projektuar për mbjellje.

Mjedisi i rregulluar ekologjikisht, ka krijuar kushtet që njerëzit dhe kafshët të jetojnë në një simbiozë të çuditshme, siç mund të shihet vetëm në disa vende të rralla.

Lajme të ngjashme

Back to top button