Dera metalike vret një fëmijë në Neproshten

­ Një fëmijë i moshës dymbëdhjetëvjeçare i lagjes Drenovec të Tetovës e ka humbur jetën pasi mbi të ka rënë një derë metalike në fabrikën “Solidplast” në Neproshten, njofton zëdhënësi i SPB Tetovë, Marjan Josifovski.

Fatkeqësia ka ndodhur rreth orës 16 e 10 minuta kur fëmija bashkë me gjyshin e tij si edhe një person tjetër me automjet kanë ardhur në Neproshten.

Derisa gjyshi e ka parkuar automjetin fëmija ka tentuar ta hapë derën metalike me ç’rast ajo ka dalë nga vendi dhe ka rënë mbi të duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore veçanërisht në pjesën e kokës, prej të cilave rrugës drejt spitalit të Tetovës ka ndërruar jetë.

Mjekët e spitalit ku është sjellë rreth orës 16 e 40 minuta vetëm e kanë konstatuar vdekjen e tij, deklaroi Josifovski.

Prokurori publik dhe një ekip i SPB Tetovë kanë kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes i cili është fotodokumentuar, ndërsa janë marrë edhe gjurmë për ekspertizë dhe po punohet në pastrimin e plotë të rastit.

Sipas të dhënave të tij, kjo është fatkeqësia e dytë për sivjet në rajonin e Pollogut, ndërsa vitin e kaluar ka pasur gjithsej 30 fatkeqësi në të cilat janë lënduar 51 persona, me ç’rast shkaku më i zakontë ka qenë pakujdesia.

Lajme të ngjashme

Back to top button