Reagimet për incidentin në “Goshincë”, thirret për sqarime në MPJ ambasadori rus në Shqipëri
Ambasadori i Federatës Ruse në Tiranë, Aleksander Karpushin, u thirr në një takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Jashtme e Shqipërisë nëpërmjet një reagimi zyrtar ka bërë të ditur se iu është shprehur ambasadorit rus pakënaqësia e palës shqiptare duke i kërkuar sqarime lidhur me deklaratat për shtyp të para pak ditëve të MPJ-së ruse për incidentin e fundit në Maqedoni.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë i konsideron deklaratat e MPJ-së ruse të papranueshme dhe akuzat ndaj dy shteteve sovrane të Shqipërisë dhe Kosovës për ngjarjet e fundit në Maqedoni, destabilizuese.
“Këto deklarata përbejnë një shantazh dhe nuk i shërbejnë aspak klimës konstruktive në rajon e aq më pak parimeve të gjithë-pranuara të së drejtës ndërkombëtare. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe kandidat në BE, dhe çdo deklaratë shantazhuese e Rusisë do të shihet veç përmes këtij prizmi”- thuhet në reagimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, lidhur me thirrjen e ambasadorit rus në Tiranë, Aleksander Karpushin.
Ministria bën me dije se ambasadorit iu theksua se Federata Ruse duhet të shohë realitetin në sy në Ballkanin Perëndimor, ku pavarësia e Kosovës përben një kontribut të qenësishëm për të ardhmen demokratike dhe stabilitetin rajonal.
Kujtojmë se Ministria e Jashtme e Rusisë, reagoi më 22 prill për incidentin në stacionit policor për kontroll kufitar “Goshincë” në komunën Likovë të Maqedonisë, duke e konsideruar këtë incident një tregues të qartë të tensioneve të thella etnike dhe konflikteve potenciale në këtë pjesë të Ballkanit dhe më gjerë.