Eksperti i OKB: Vendet e pasura të pranojnë një milion refugjatë për të ndalur tragjeditë me anije

Vendet e pasura duhet të pajtohen për një plan gjithëpërfshirës për të pranuar një milion refugjatë nga Siria gjatë pesë viteve të ardhshme për t’i dhënë fund tragjedive me anije në Mesdhe, ka thënë raportuesi special për të drejtat e emigrantëve i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në një intervistë për The Guardian, François Crépeau ka thënë se Evropa po krijon një treg për trafikantët e njerëzve duke mos ndërmarrë asgjë në lidhje me Sirinë. Ai ka deklaruar se plani i tij mund të zgjatet deri në shtatë vjet apo të zgjerohet për të përfshirë edhe nacionalitete të tjera, transmeton Tribuna Channel.

“Ne mund të ofrojmë bashkërisht që të strehojmë një milion sirianë gjatë pesë viteve të ardhshme. Britania, për shembull, do të strehonte rreth 14.000 sirianë në vit. Kanadaja, më pak se 9.000 në vit – kjo është si një pikë në oqean. Australia, më pak se 5.000 në vit. Ne mund ta bëjmë këtë”, ka thënë Crépeau.

Plani do t’i mundësonte refugjatëve sirianë që të aplikonin nga vende si Stambolli, Amani dhe Bejruti për të ardhur në Evropë, Amerikë Veriore dhe Australi “për një mundësi të mirëfilltë për t’u zhvendosur, në vend se të paguajnë mijëra euro dhe të vdesin me fëmijët e tyre në Mesdhe”, ka shtuar raportuesi special i OKB-së./ Tribuna Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button