Venizelos: Qeveria me mediat e saj në Maqedoni shprehin nacionalizma kundër Greqisë

Ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryeministri Evangelos Venizelos, duke akuzuar Qeverinë e Maqedonisë dhe mediat pro-qeveritarë se “krijojnë klimë nacionaliste dhe armiqësore kundrejt Greqisë” tha se incidentet e që i ka krijuar partia neofashiste “Agimi i Artë” në kufirin Maqedoni-Greqi janë “incidente të izoluara që Qeveria greke nuk i miraton”.

Ai këtë e tha në një debat në Parlamentin grek pasi që iu përgjigj deputetes së partisë opozitare greke, E Majta Demokratike, Maria Janakaki, në pyetjen e saj si deputete për ministrat e punëve të jashtme dhe të Mbrojtjes Civile nëse planifikon që t’i dënojë ata që i kanë keqtrajtuar qytetarët e Maqedonisë dhe i kanë dëmtuar automjetet në kufirin grek.

Janakaki tha se anëtarët e partisë neofashiste “Agimi i Artë” kryejnë kontroll të paligjshëm të automjeteve në kufi dhe distribuojnë materiale raciste dhe nacionaliste.

Sipas ministrit të Mbrojtjes Civile, Nikos Dendhias, më 21 korrik sivjet në të dy kalimet kufitare me Maqedoninë “u mbajtën tubime të anëtarëve të disa organizatave dhe një partie politike ku nuk ka pasur trazira dhe prishje të qetësisë dhe sigurisë publike”.

Edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë më 31 korrik i dërgoi not verbale shefit të zyrës greke të lidhjeve në Shkup, Haris Lalakos, për shkak të shpeshtimit të automjeteve të dëmtuara me targa të Maqedonisë në territorin e Greqisë.

Në notën verbale u shpreh protestë edhe për incidentin e njëjtë nga 21 korriku në kalimin kufitar të Maqedonisë dhe Greqisë kur pati ikonografi ekstremisht nacionaliste të pasuar me ofendime, kanosje dhe fjalor me urrejtje për qytetarët e Maqedonisë. Por edhe pse në territorin e Greqisë deri tani janë dëmtuar më shumë se 65 automjete të shtetasve të Maqedonisë, asnjë institucion shtetëror në Greqi ende nuk ka ndërmarrë asgjë, as përgjigje për demarshin e Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button