Obama: Kanabisi, lufta ishte kundërproduktive

Presidenti amerikan, Barak Obama ishte në një vizitë në Kingston, kryeqytetin e Xhamajkës ditën e djeshme, ku përveçse vizitoi shtëpinë ku ka jetuar Bob Marli, iu përgjigj edhe pyetjeve ngacmuese të rastafarianëve lidhur me legalizimin e kanabisit në SHBA. Në një event që u organizua në Kingston, Miguel Uilliams, artist i njohur në Xhamajkë, e pyeti Presidentin amerikan nëse ai do të bëhej “kampion i kërpit”, pra nëse ishte në favor të legalizimit federal të kanabisit dhe dekriminalizimin e kësaj bime dhe nënprodukteve të saj. Besimi rastafar e mbështet konsumin e kanabisit, si diçka që lidhet me shpirtin e besimtarëve. “Sikur ta dija që do të ma bënit këtë pyetje”, tha Obama me shaka.

“Epo – shtoi ai si i zënë në siklet – ekzistojnë dy çështje në SHBA. Nga njëra anë qëndron çështja e legalizimit të kanabisit dhe nga ana tjetër qëndron edhe çështja e dekriminalizimit të tij, krahas shumë dënimeve që kanë çuar deri edhe në shkatërrimin e komuniteteve për shkak të thyerjes së ligjeve në konsumin e drogave, që nuk sjellin dhunë”, tha Obama. “Unë jam një besimtar i fortë, se rruga që kemi ndjekur në SHBA – e ashtuquajtura “luftë kundër drogës” – ka sjellë vetëm burgosje masive dhe ka qenë kundërproduktive në luftimin e drogave”, shtoi shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Por i pyetur nëse SHBA-të do ta legalizonin kanabisin, Obama ishte më i kujdesshëm në përgjigjen e tij. “Unë nuk mund ta parashikoj se kur mund të ndodhë. Por Kongresi është duke ndryshuar thelbësisht ligjet për këtë çështje”, përfundoi Obama. Gati projektligji për Teksasin Ndërkohë që Obama zhvillonte takimin në Xhamajkë, në Teksas përfundoi përgatitja e projektligjit për dekriminalizimin e kanabisit. Deri tani, legalizimi mbetet ende jashtë diskutimeve, por dekriminalizimi është në rend dite për shtetin jugor.

Teksasi bën pjesë në 22 shtetet e SHBA-ve ku prodhimi, shitja dhe konsumi i kanabisit për çdo lloj qëllimi përbëjnë vepra penale. Ky shtet i ka refuzuar të gjitha projektligjet për dekriminalizimin e kanabisit deri më tani. Megjithatë, po bëhen përpjekje të mëdha që një projektligj të votohet në sesionin e ardhshëm legjislativ. Ky projektligj synon lehtësime të legjislacionit për ata që konsumojnë kanabis, por ende nuk përmban asnjë nen lidhur me kultivimin dhe shitjen.

Propozimet

Tre ligjvënës demokratë kanë propozuar që Teksasi të legalizojë posedimin dhe konsumimin e sasive të vogla të kanabisit. Po kështu, dakord me ta ka qenë edhe republikani Harold Datën, i cili ka theksuar se shumica e shteteve të tjera të SHBA-ve e kanë ndërmarrë këtë masë tashmë. Interesant ka qenë propozimi i republikanit David Simpson, i cili iu referua edhe Biblës për dekriminalizimin e kanabisit. “Unë besoj fort se Zoti dënon abuzimet dhe jo substancat”, tha ai. Sa i përket kanabisit për qëllime mjekësore, Teksasi ka mbetur disa mbrapa. Të mërkurën, në një seancë të posaçme të Dhomës së Përfaqësuesve u dhanë disa dëshmi nga disa familjarë që kanë fëmijë që vuajnë nga sëmundje që kërkojnë trajtim me kanabis mjekësor. Megjithatë, për këtë problem nuk ka asnjë datë diskutimi për ndonjë projektligj. Sesioni lidhur me kanabisin do të mbyllet më 1 qershor.

Propozimet në Shqipëri për kanabisin

Në Shqipëri është duke u debatuar për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Deputeti socialist, Koço Kokëdhima, ka kohë që ka hedhur idenë se Shqipëria duhet ta legalizojë prodhimin dhe kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe të përfitojë nga të ardhurat që vijnë nga eksporti i kësaj bime. Nisma bën fjalë vetëm për prodhimin e kanabisit për qëllime eksporti dhe jo për konsum të brendshëm. Kokëdhima, gjithashtu, është mbështetës i fortë për zbutjen e ligjeve që dënojnë mbajtjen dhe konsumin vetjak të kanabisit. Deputeti Kokëdhima vizitoi, pak ditë më parë, një të burgosur, i cili ndodhet në spital dhe vuan një dënim të gjatë për shkak të kanabisit. Ligjet në fuqi e kategorizojnë kanabisin si drogë të fortë dhe dënimet janë të ashpra.

Lajme të ngjashme

Back to top button