SHBA, Britania, Franca kërkojnë rezolutë të fuqishme për Sirinë

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania kanë rënë dakord mbi nevojën për një rezolutë të fuqishme të Kombeve të Bashkuara, e cila të përcaktojë afate të sakta dhe të detyrueshme që Siria të heqë dorë nga armët kimike.

Sekretari i Jashtëm britanik William Hague theksoi nevojën për ta ruajtur trysninë mbi presidentin sirian Bashar al-Asad. Ai tha sot se kjo është një detyrë e vështirë dhe komplekse.

“Është regjimi i Asadit që ka magazinuar këto armë dhe i ka përdorur në mënyrë të përsëritur kundër popullit sirian, prandaj trysnia ndaj tyre synon që ata të veprojnë plotësisht në përputhje me marrëveshjen e arritur. Bota duhet të jetë e gatshme t’i mbajë përgjegjës në qoftë se ata nuk e bëjnë këtë, dhe tre vendet tona janë të vendosura të veprojnë kështu,” tha zoti Hague.

Siria thotë se ishin kryengritësit dhe jo forcat qeveritare që kanë përdorur armë kimike në sulmin vdekjeprurës muajin e kaluar në afërsi të Damaskut.

Zoti Hague i bëri komentet në prani të ministrit të Jashtëm francez Laurent Fabius dhe Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry, pas takimit të tyre në Paris. Bisedimet zhvillohen dy ditë pas planit të njoftuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusisë që i kërkon Sirisë të japë informacione mbi arsenalin e saj të armëve kimike. Qeveria siriane ka premtuar se do ta bëjë këtë.

Sekretari Kerry tha sot se nuk do të pranohet asgjë tjetër veç pajtimit të plotë nga ana e qeverisë siriane me një rezolutë të OKB-së. Ai shprehu gjithashtu nevojën lidhur me një zgjidhje afatgjatë për Sirinë dhe jo thjesht heqjen e armëve kimike nga duart e zotit Asad.

“Ne e kuptojmë se edhe duke i hequr armët kimike, ai përsëri ka artileri dhe aeroplanë të cilat i përdor pa dallim kundër popullit të tij. Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë për të vazhduar punën drejt një zgjidhjeje politike që është aq me rëndësi për t’i dhënë fund dhunës,” tha Sekretari Kerry.

Përpjekjet e mëparshme për të zgjidhur krizën siriane në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kanë dështuar, sepse Rusia dhe Kina kanë përdorur veton për të bllokuar çdo ndërhyrje nga jashtë./ Zeri i Amerikes/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button