Letër mikes (I)

Është e kotë të përpiqesh ta harrosh, sa më shumë që ta sforcosh veten, aq më tepër do ta mendosh atë për të ciën logjika, rendi, kuptimi e s’di sa parime tjera të urdhërojnë ta fshish nga zemra dhe mendja që s’marrin vesh prej fjale. Prandaj mos i fol shumë as zemrës as mendjes. Mendoj se përpjeket me zor do ta stërzmadhojnë mungesën e tij, mallin për atë paaritshmin, kurse malli, siq e kemi biseduam njëherë, është punë shejtani: lyp prekje, nuk të le rahat. Malli për dikend që nuk mund ta kesh, është si qorrsokak – të vjen sikur po ec, por nuk mbërrin askund. Ama ani…Ndonjëherë nuk është keq të kesh dikë për ta ëndërruar pavarësisht nëse platonikja mund të kthehet në diçka konkrete, pasi nuk plaken ata që ëndërrojnë. Nisim të plakemi apo të bëhemi të bezdisshëm kur zënë të shterren burimet e inspirimeve, siq është dhe dashuria. Mua nuk më tingëllon si problem, e dashur, që ky rrëfimi yt qenka si duket i shkruar të mbetet platonik. Përkujtohu si i kishim fillimet e emocioneve dikur në rininë e hershme, si e përjetonim dashurinë në distancë, momentet e rralla, bisedimet apo vetëm shikimet e vjedhura, kur asgjë fizike nuk ndodh, dhe ndoshta më mirë që nuk ndodh se kështu asnjëherë nuk rrëshqet në rutinë.

Mendoj se secili në biografinë e vet emotive ka rrëfime me shumë ndjenja e aspak akcion që mbeten më të dashurat në kujtesë, dhe ne vetë, në një mënyrë, mbetemi pengje të tyre edhe atëherë kur biem në dashuri të reja. Sa më pëlqen fakti, mikja ime, që paske ndonjë person të cilin vetëm e dëshiron nga larg, e ëndërron syhapur, e dashuron pa gjasa realizimi që don të thotë pa gjasa zhgjënjimi. Kur lidhemi kësisoj, personi na duket superior, me dominim të garantuar, për shkak se rrallëkush mund t’ia rrezikojë pozitat në një “garë viruale” e cila dihet si mbaron ende pa filluar. Lidhshmëria platonike në parim sa është e bukur me ndjenjën e përkatësisë të fshehtë dhe absolute aq është edhe melanholike me mungesat dhe mallin që s’kanë haber të shuhet.

Të mundohem të përgjigjem në pyetjen tënde se pse zgjasin kaq gjatë këto “lidhje”.

Kur nuk mund të flasim me të dashurin as me puthje as me prekje ne faktikisht dashurojmë përfytyrimin tonë, portretin e tij pikturuar në imagjinatë, e më thuaj cili realitet mund t’i konkurrojë fantazisë!? Kur e mbajmë të ndryrë dashurinë dhe ndjenjat më të zëshme i kthejmë në heshtje para tij, heshtje para tjerëve, pikërisht atëherë pasioni shpërthen më fuqishëm, kurse pasioni, më shumë se sa dashuria, është i verbër, është joobjektiv dhe këtu fshehet në fakt e tërë magjia e tij.

Nëse mundohemi, për arsye ngushëlluese, të shikojmë më gjërë: a nuk njeh historia e artit shembuj kur dashuritë e mëdha që kanë mbetur të parealizuara, gjithmonë vetëm në sferën e ëndrrës së artistit kanë dhënë për fryt diçka shumë të vlefshme: kryeveprat e tyre, librat që ende lexohen, pikturat me modele të veshura, të xhveshura…raste këto që dëshmojnë freskinë e emocionit në pëlhurë, në vargje, në krijime artistike që i kanë rezistuar kalimit të kohës.

Për këto në letrën tjetër.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button