Daci: Fuqia politike në Kosovë i është dorëzuar ndërkombëtarëve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci ka akuzuar autoritetet vendase dhe ndërkombëtare për eksodin e kosovarëve, të cilët në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, lanë Kosovën në numër të madh. Tha se politikanët e Kosovës i kanë dorëzuar fuqinë politike ndërkombëtarëve.

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, tha se fuqia politike në Kosovë iu dorëzua ndërkombëtarëve, e ata, sipas tij, nuk dinë të qeverisin në shtëpi të huaj.

“Duke e nënvlerësuar potencialin tonë dhe duke e keqpërdorur mikpritjen tonë… Në një mënyrë e kemi dorëzu krejt fuqinë politike në faktorin ndërkombëtar. Faktori ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm, ka qenë është dhe do të jetë gjithmonë por faktori ndërkombëtar nuk dihet të jetë zot shtëpie kurrë sepse ai nuk e di mentalitetin se çfarë shtëpie i duhet familjes time ose të juajes… dhe mundohet me imponu gjana që nuk i absorbon”, tha ai, në emisionin ‘Imazh’ në RTK.

Tha se e gjithë kjo solli eksodin e kosovarëve, dhe jetesën e tyre në geto, si të vetmit që nuk gëzojnë liberalizim vizash.

“Kemi ardh këtu, që për herë të parë në historinë e popullit shqiptar, mbas përzënies që na kanë çu në Turqi, tash ka ngja eksodi jonë në Evropë. Është meritë e të dy faktorëve, nën një: faktorëve vendorë, që pa paterica nuk mundet me ecë dhe nën dy: e faktorit ndërkombëtar që edhe sot e vetmja pikë e zezë në Evropë është Kosova, e izolume në geto”, tha Daci.

Lajme të ngjashme

Back to top button