PD: S’mund t’i hapin dosjet, ata që i hartuan

Departamenti për ish-të përndjekurit në Partinë Demokratike organizoi dje një takim të zgjeruar në Korçë me shoqata dhe grupime, ku u diskutua për pjesëmarrjen në politikëbërjen e përfaqësuesve dhe familjarëve të kësaj kategorie.

Mbi 400 pjesëmarrës në këtë takim, me ish-të përndjekur dhe familjarët e tyre nga Korça, Pogradeci, Devolli dhe Erseka, ndanë mendimin mbi nevojën e bashkimit në prag të zgjedhjeve lokale, dhe duke marrë parasysh zhvillimet e rënda politike, të situatës së gjithanshme ekonomike, “të inkriminimit të politikës dhe qeverisjes si dhe të mungesës së perspektivës për këtë shtresë të shoqërisë me qeverisjen aktuale”.

Partia Demokratike u shpreh se nuk mund t’i hapin dosjet, ata që i krijuan dosjet. Ajo mbetet e vendosur në mbështetje të procesit të lustracionit, por jo me pseudo-ligje të kësaj mazhorance, por me mekanizmin e duhur që garanton transparencë të plotë e të thellë.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike u angazhuan për të thelluar aleancën dhe bashkëpunimin me ish-të përndjekurit, të cilët janë pjesë thelbësore e vlerave që ndajnë demokratët, për lirinë, demokracinë e të drejtat e njeriut.

“Ish-të përndjekurit dhe familjarët e tyre kanë qenë, janë dhe do të jenë edhe më shumë pjesë e aksionit dhe platformës së Partisë Demokratike”, thuhet në njoftimin e PD-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button