Historia përsëritet në tokën e Musait (a.s)?

Asgjë nuk duket se ka ndryshuar nga historia, përveç krenarisë qytetërimore të njeriut të vetëquajtur modern, tipik i zhytur në indiferencë edhe kur padrejtësia më e madhe gjendet përballë syve të tij. Të larguar nga ndjenja e mëshirës, dhe të copëzuar nga ndjenja e bashkësisë njerëzore si një e tërë, një pjesë e botës ku shpesh merren vendimet edhe për pjesën tjetër, bën sehir. E gjithë loja gjendet sot në pikën e saj më të errët në tokën e muslimanëve, ndërsa gjaku i tyre po i mbush si atëherë, rrugët dhe trotuaret e një padrejtësie të dy zgjedhjeve të përjetshme të kësaj bote.

Njësoj si në zanafillë, e keqja dhe e mira ndodhen në front për t’u përballur me njëra-tjetrën, ku sigurisht e para zgjedh për të vrarë, ndërsa e dyta zgjedh për t’u dorëzuar në krahët e këputur të vdekjes. Ata që ikin në këtë mënyrë, në të vërtetë janë sakrifikuesit më të mëdhenj që ka njohur historia. Është më e lehtë të vrasësh se sa të vdesësh, dhe shumë më e lehtë është të vdesësh për një qëllim sublim, se sa të jetosh për të përfituar pak pushtet të shkurtër nga jeta e kësaj bote. Për ta, dmth për mbrojtësit e “demokracisë”, vrasjet janë thjeshtë statistika, ndërsa për ata që zgjodhën të vënë rendin, dmth më së paku të mos jenë shkatërrues në tokë, ashtu sikurse janë paralajmëruar, dorëzimi për këtë kauzë (më e madhe nga e cila thjesht nuk mund të ekzistojë) është llogaria më e leverdishme.

E kush tha se ata janë të vdekur? Ata janë tek Zoti i tyre, të gëzuar në kënaqësinë e xhenetit. Ky është premtimi që e zgjaton edhe më shumë përpjekjet dhjetëra vjeçare për të triumfuar mbi të keqen, më së paku mbi ata që vrasin në mënyrë barbare pa ju dridhur qerpiku. Kështu ndodhi edhe para 2000 e më shumë vitesh, kur Musai i nderuar paralajmëroi me forcën e shpirtit dhe jo të armëve faraonët vrastarë, e kështu po ndodh edhe sot, vetëm se në një mënyrë tjetër në Egjiptin ku çështjet dhe dijet e Islamit kanë qenë kurdoherë në lartësitë më të mëdha.

Mijëra të vrarët, nuk i shterojnë shpresat tona. Duart e hapura drejt qiellit nuk do të kthehen pas në boshësi pa marrë si gjithnjë shpërblimin e merituar. Sa herë shpirtrat tanë tronditen, po aq herë do të rriten forcat për të thënë se ata nuk janë vetëm. Ato gra dhe fëmijë të pafajshëm janë lutjet e miliona myslimanëve në të gjithë botën. Fitorja mund të mos jetë pranë, por durimi vazhdon t’i rezistojë edhe shpejtësisë së dritës së plumbave që mbjellin vdekjen. Ne do të jemi aty, duke pëshpëritur edhe një herë tjetër lutjen e vëllait për të vëllanë, lutjen e së mirës, që mbajnë në këmbë botët, e i japin energji rrezatuese forcave tona për të thënë se: tjetër qëllim më të mirë nuk mund të ketë në këtë jetë. Për këtë, ata (laikët) u frikësuan, u tmerruan gjer në palcë, ndaj shprehja e frikës së tyre janë armët.

Myslimanët e Egjiptit nuk kanë armë, sepse nuk kanë qëllim të vrasin, s’kanë artileri, sepse nuk ndihen të frikësuar. Pikërisht kjo e bën diferencën dhe të gjithë ata që bashkohen me autorët e masakrave, thjesht janë kriminelë!

Pseudoqytetërimi ynë nuk është ende në gjendje të mos e përsëris historinë, e institucionet e tij përpara se të shqetësohen për shtimin e lepujve në natyrë, më parë duhet të kenë pak kurajë për të qenë në anën e çdo fryme njerëzore, e ndërgjegjshme për ekzistencën e vet. Nuk ndodh kështu, dhe paradoksalisht me zhvillimin dhe përpjekjet për zgjatjen e jetëgjatësisë, shtohen edhe format e reja të armëve për ekzekutimin dhe shkatërrimin në masë të po të njëjtit lloj.

Askush nuk duhet të shqetësohet nëse një palë erdhi në pushtet dhe një tjetër iku, por vrasja e civilëve, grave dhe fëmijëve, është një barrë për të gjithë ndërgjegjen njerëzore, e cila duket se nuk i shërbejnë më katalizatorët për të rikthyer ndjenjën e mëshirës dhe dashurisë. Këto ndjesi ngazëlluese të shpirtrave duken të zvetënuara, por për sa kohë ekzistojnë ende trëndafila që çelin në skutat e llumit të qyteteve, ka ende shpresë, se një Musa, ose qindra të tillë, do të ngrihen nga gremina për të rinisur edhe një herë rrugën e mërgimtarit të qeshur që niset drejt kënaqësive të Zotit, duke mbjellë farat e së mirës në tokën ku shpesh herë duket se triumfon e keqja.

Si gjithnjë, mbi rrënojat e perandorive ku duket se ka pllakosur përgjithnjë pesimizmi, kanë mbirë e janë rritur pemët më të mira. Kjo është bota, bota e Musave, bota e dëshmive, e fitoreve afatshkurtra dhe humbjeve afatgjata të faraonëve. Si gjithnjë, të vrarët do të harrohen për t’u shndërruar thjesht në statistika në librat e historisë që mësohen nëpër shkolla. Kjo për vdekatarët, por tek Zoti asgjë nuk harrohet dhe çdo pikë gjaku e derdhur pafaj, do të jenë dëshmi e fortë për të çuar drejt zjarrit ata që e shkaktuan. Ata janë të bindur gjer në vdekje për këtë premtim të madh, ndaj nuk u trembën kur plumbat u derdhët në kokat e tyre që kishin rënë në sexhde.

Tek e fundit, të gjitha këto të çojnë tek Dita e Kiametit, dita e madhe ku të dorëzuar do të jenë gjithkush që mori frymë në këtë botë e atje, sigurisht nuk do të ketë komplote dhe djalli nuk do t’u vijë në ndihmë gjakatarëve, pasi do të jetë i shqetësuar për çështjen e vet. Ne jemi ata që janë bekuar me dhuratën më të vlefshme në histori, atë që ka të bëjë me njohjen e Zotit dhe ne do të jemi trashëgimtarët e botës.

Sistemet do të rrëzohen një ditë, siç ra komunizmi, diktatorët do të vdesin, por besimtarët, xhamitë do të jenë pritësit e brezave të pandarë që përhapin fjalën e Zotit, paqen (selamin) për të cilën ata jetojnë. Një agim i ri do të lindë, e kush tjetër do t’i presë këto rreze përveç se besimtarët?!/

Rejan ISLAMIDrita Islame

Lajme të ngjashme

Back to top button