Jetonte për të dhënë

Tezja ime e madhe ishte kryekëput e dedikuar obligimeve të shenjta. Më kujtohet kur motrat bëheshin bashkë për ndejet e tyre dhe disi në të njëjtën kohë rreshtoheshin në kohën e namazit, ajo falej më gjatë, më shtruar. Derisa tezet tjera, llafazane, secila më e re se mosha, i palonin sexhadet dhe dhoma mbushej me të qeshura, tezja e madhe vazhdonte lëvizjet e ngadalshme ritmike, symbyllur para pëllëmbëve të ngritura…Lutja në parim është meditim, kurse ata që arrijnë të eliminojnë shumicën e mendimeve anësore në momentet e përuljes dhe falemnderimit, nuk kanë nevojë për joga, muzikë ambientale dhe supstitute tjera moderne.

Si besimtare ishte e bindur se Perëndia më së miri i ujdis raportet dhe drejtësinë. Nisur nga kjo, nuk i hynte zametit t’u hakmerret njerëzve që e lëndonin thjesht nga qejfi, ca tipa që kënaqen kur bëjnë dëme duke ia çrregulluar dikujt ditën apo të paktën disponimin momental. Në të gjitha tronditjet jetësore, përfshirë dhe ato tektoniket, ajo mbetej e bindur se Zoti më së miri sheh dhe gjykon dhe një ditë, si e si, të nxjerr në selamet, mjafton të mbetesh në rrugën e tij dhe të punosh në mënyrë të pëlqyer prej tij, thoshte. Ky postulat bazik jetësor e kishte bërë tezen të paaftë për urrejtje apo hakmarrje, ajo nuk kishte në reportoar as mendim e lëre më veprim kundër kujdoqoftë. As të lëndojë, as t’u revanshohet Gargamellave.

Nirvana. Plot dinjitet dhe sabër. Dhe mirënjohje në sasi enorme. Gjatë kohë mbante mend çfarëdo gjesti pozitiv ndaj saj, bekimet i kishte të gjata dhe legjendare, skajshmërisht efektive. Kur më shikonte me ato sy sorkadheje, të kthjelltë dhe si të trembur, kur fillonte të rradhiste fjalitë plot ngrohtësi dhe aprovim, e dija se së shpejti diçka e bukur do të më ndodh. Gjithmonë ndodhte.

Nuk kishin fëmijë prandaj nipërit dhe mbesat, nga ana e saj dhe e të shoqit, na trajtonte me sentiment të veçantë. Shpesh shkoja mysafir bujshëm në shtëpinë e tyre të madhe pa zhurmë, nuk kishin televizor se “nuk donin të fusnin shejtanin në shtëpi”, vetëm një radio mbi tavolinën e vogël të ngrënies. Posa hapej porta e madhe diçka pas orës 14 kur enishtja kthehej nga puna, futesha me shpejtësi nën tavolinën e shtruar për drekë, me mbulesë të gjatë dhe e prisja dialogun e mirënjohur…tezja i thotë se kam shkuar në shtëpi, enishteja e qorton pse më paska lëshuar, unë i dëgjoj e mbedhur galuç, dhe posa ata heshten e kap enishten për këmbe, ai kërcen nga karrikja i habitur. Çdoherë i njëjti ritual. Dhe ashtu të disponuar vazhdonim me drekën, gjellëra super të shijshme, që ziheshin ngadalë gjithë paraditen, duke përhapur aromën e erëzave prej bahçes…

Tezja tërë ditën diçka qepte, qëndiste, thurrte, përgatiste pajën e vajzave të kunatave. Shpesh kur e kujtoj më del parasysh ose mbi sexhade, ose ulur para maqinës për qepje, ose mbi shilte nën ndonjë pemë në bahçe, me gjilpërat e thurrjes…Punonte me merak, me kujdes të madh për çdo detaj të vogël. Shpesh qepte falas “për sadakanë e duarve”, thoshte. Natën e Arifes rrinte zgjuar deri në agim, duke i kompletuar teshat festive për fëmijët e familjes dhe mahallës.

Ajo jetonte për të dhënë, për ti lumturuar të tjerët, sidomos fëmijët, sidomos pleqtë.

Zoti e do më shumë dorën që jep se sa dorën që merr, thoshte.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button