Ftesë për të menduar rreth (pa) kuptimit të festave

Sikur të nderohej nëna dhe femra në përgjithësi si duhet, vallë ç’kuptim do të kishte data e tetë marsit. Kjo datë duhet të jetë ftesë për protestë dhe assesi festë!

 

Pasi që t’i marrin gratë të drejtat e tyre, vallë a do të ekzistojë tutje festa e tetë marsit? Gratë me dekada të tëra protestuan kundrejt atyre që ia mohuan të drejtat e tyre, edhe pse të drejtat e tyre me shekuj ishin të shkruara dhe të urdhëruara nëpër librat e shenjtë. Më vjen keq që ato nuk u orientuan te të drejtat e tyre, por ato me çdo kusht mëtuan të barazohen me mashkullin, barazim ky që doli të jetë një barbarizim ndaj krijesës më të ndjeshme të këtij rruzulli. Më në fund u bën të barabartë, jo të gjitha, por një pjesë bukur e madhe, por të gjorat humbën femëroren. U bën porsi meshkuj, madje më tepër se meshkuj, sepse kërkuan që barra e cila mund t’i ngarkohet kalit t’i vihet edhe pëllumbeshave. Ja ia arritën qëllimit!

Kanë të drejtë të punojnë aq orë sa punon edhe një mashkull, aq punë sa edhe punon edhe ai, njëlloj punojnë, ani pse ajo për nga natyrshmëria është shumë më e pafuqishme se sa mashkulli. Janë aq të dërrmuar saqë fëmijët vuajnë për përkujdesjen e tyre dhe pastaj brezi tjetër i ka rënë në fije kësaj pune; nuk po martohet fare, po bashkëjeton me dashnorë dhe përmes prezervativëve të ndryshme po ruhet prej bërjes fëmijë. Aq të drejta fituan, saqë shumica e femrave martohet për të përfituar prej të drejtave që ia jep akti i shkurorëzimit. Mbërritën shumë!  Vijnë në punë shumë syresh me minifund, kurse meshkujve i ndalohet vajtja në punë me xhinse. Në ditën e martesës nusja ka të drejtë ta shpalosë gjoksin dhe pjesërisht edhe gjinjtë, mirëpo burri duhet patjetër të vishet gjer në fyt me kostum të shoqëruar me kollare dhe me këmishë mëngëgjatë. Dikush duhet t’i kullotë sytë, ndaj aq pacipë thyhen ligjet në këso rastesh. Për më tepër, shpeshherë i shohim të kenë përparësi në fakultet kundrejt meshkujve. Kështu që, po ta kapim këtë festë më me logjikë dhe arsye të shëndoshë, do të shohim se sot gratë kanë të drejta më shumë se burrat, saqë kjo tepricë e të drejtave ato po i dërgon drejt denatyrizimit të tyre. Më vjen keq që kaq verbërisht manifestojmë dhe urojmë festa kaq kundërthënëse!

Lajme të ngjashme

Back to top button