Femra shqiptare në luftën e 2001

Në çdo luftë të popullit shqiptar kundër pushtuesve të ndryshëm, për krah burave në betejat e luftërave heroike e në çdo sakrificë, roli i femrave shqiptare ka qenë i pranishëm dhe i domosdoshëm. Duke filluar që nga koha e lashtë kur mbretëresha Teutë, ishte në krye të ushtrisë kundra pushtuesve romakë e më pas pjesmarrja e femrës në luftrat çlirimtare u bë traditë dhe u përcoll brez pas brezi. Të shumta janë portretet e femrave shqiptare që mbetën në kujtesën e kombit dhe të historisë së lavdishme të popullit tonë, ku mund të veçojmë: Laskarina Bubulina, Shote Galica, Mine Peza, Ibe Palikuqja, Xhevë Lladrovski, Hyrë Emini e shumë e shumë femra të tjera shqiptare. Në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare me gjithë një farë konservatorizmi në lidhje me praninë e femrës, në gjirin e saj në detyra dhe funksione të ndryshme u radhitën me dhjetra femra, krah për krah me vëllezërit e ytre të idealit kombëtar nën emblemën e UÇK-së.

Unë, isha njëra nga femrat e shumta ushtare të UÇK-së për të cilën krenohem sepse përmbusha një obligim ndaj popullit tim për liri, drejtësi, përparim dhe emancipim të shoqërisë. Me luftën e vitit 2001, lidhen shumë ngjarje të jetës time. Ajo periudhë është për mua një periudhë e shenjtë, një periudhë që për mua do të mbetet e pa harruar. Për çudinë, pyetjen e shumë atyre që nuk e kuptojnë si duhet, botën e femrës shqiptare, po e jap me intervistën që kam dhënë për një gazetar norvegjez, gjatë vizitës së tij në zonën tonë të luftës gjatë asaj periudhe të vështirë.

“Ishte herët në mëngjes, kur na njoftuan se një gazetar norvegjez kërkon të intervistojë komandantin tonë, në rajonin veri-perëndimor me bazë në fshatin Odri. Qëllimi i intervistës së gazetarit të huaj ishte të mësojë diçka më tepër rreth shkakut të kësaj lufte. Vizita e tij na gjeti në momentin kur ne ishim të rreshtuar dhe prisnim urdhrat nga komandanti. Krahas rregullit ushtarak, disiplinës që dukej në çdo hap, gazetari u befasua, edhe nga një fenomen i paparashikuar, siç pranoi edhe ai vetë më vonë. Befasia e papritur për të ishte se në rreshtim ushtarak ishim dhe ne femrat me uniformën e UÇK-së. Pas bisedës me komandantin tonë Malën, gazetari kërkoi leje të intervistonte njërën nga femrat ushtarake. Ai theksoi se për lexuesit e gazetës për të cilën shkruante, do të ishte diçka shumë i veçantë ky fakt. Do të ishte një befasi e këndshme për të njohur botën e vërtetë të femrës shqiptare, si pjesëmarrëse në luftë. Nga grupi i vajzave që ishim aty, për të dhënë intervistën gazetari norvegjez, komandanti më caktoi mua. Midis ngrohtësisë që donte të krijonte gazetari për bashkëbisedim, qëndronte dhe dyshimi për çudinë që ai po përjetonte, ndaj në mendjen e tij plekseshin lloj-lloj pyetjesh në kërkim të zbulimit të asaj se: – Çfarë na shtynte ne femrat shqiptare për të luftuar krahas me burrat?!

Pyetjet e gazetarit ishin të shumta, por pak provokuese që buronin nga paragjykimin e tij për pjesëmarrjen e femrave në luftë. Një ndër ato pyetje ishte se: Çfarë më kishte shtyrë mua, një vajzë e re që të kapja armën dhe të rreshtohesha në radhët e UÇK-së?

– Kësaj pyetje i thashë gazetarit që është e lehtë, që shumë shkurt ti përgjigjesh, por është e vështirë që ta kuptoni ju, ndaj për tu përgjigjur do të zgjatem pak, që në radhë të parë ju të kuptoni botën tonë, persekutimin dhe injorimin që na është bërë tërë kohën, vetëm se jemi shqiptarë apo shqiptare. I shpjegova situatën politike para dhe pas viteve nëntëdhjetë kur në vendet e Lindjes u vendos demokracia dhe pluralizmi politik. I tregova çfarë prisnim dhe çfarë arritëm në fakt ne shqiptarët. Gazetari dëgjonte dhe habitej me ato që unë i tregoja dhe shkruante mbi fletën e bardhë. I tregova të gjitha dhe sa arrita te ngjarjet para krijimit të universitetit të Tetovës për të më kuptuar më mirë i thashë.

-Më shiko mua. Ja, unë jam vajzë që kam diplomuar në UT dhe pa filluar lufta punoja si asistente e lëndës së Morfologjisë, pranë Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në po këtë universitet. Me marrjen e kësaj përgjigjeje nga ana ime, kureshtja e gazetarit u shtua edhe më tepër. Ai, kërkonte të dijë pak më gjerësisht për gjendjen ekonomike dhe arsimore të familjes time.

E informova se rrjedh nga prindër intelektualë që tërë kohën kanë aspiruar për një zgjim dhe çlirim nacional. Babai, profesor i gjuhë-letërsisë shqipe dhe nëna mësuese e ciklit të ulët. I tregova se edhe gjendja ime ekonomike e familjes ishte me të ardhura të mjaftueshme, për një jetë normale. Tregimi për familjen time, ishte për të një e pa pritur, por prapë ai këmbënguli për të ditur vërtet se çfarë më kishte shtyrë për tu rreshtuar në radhët e UÇK-së.

-Ju thashë se kam mbaruar Universitetin, por nuk u tregova se me sa mund e sakrificë u arrit që të bëhej ky universitet, që akoma shteti nuk e njeh zyrtarisht. I tregova periudhën që lidhej me ëndërrat e rinisë time dhe të moshatarëve të mi shqiptarë, që ëndërronim të studionim, ashtu si të rinjtë maqedonas në një universitet në gjuhën tonë amtare. I tregova që në çdo nismë për përparim dhe zhvillimin e historisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare në Maqedoni është shtypur nga grushti i hekurt e i pamëshirshëm i policisë dhe ushtrisë sllavo-maqedonase. I fola për historinë e themelimit të UT-së, ku që në fillimin e veprimtarisë së tij u derdh gjak shqiptari. Vlen të theksoj se në vitin 1994 ra dëshmori i parë i krijimit të këtij universiteti.

Mjaftuan këto për të nxitur edhe më tej dëshirën e gazetarit të huaj për të pyetur e për të mësuar më shumë për çështjen e arsimit të shqiptarëve në Maqedoni.

– Lufta në Maqedoni kundra shqiptarëve nga ana e pushtetit ka qenë vijë politike prej vitesh, por këto dhjetë vitet e fundit ne shpresuam te demokracia, por ndodhi e kundërta. Presioni e presekutimi ndaj shqiptarëve po kalonte çdo kufi njerëzor edhe pse pushkëve të policisë dhe ushtrisë sllavo-maqedonase ne i përgjigjeshim me laps dhe fletore, domethënë në mënyrë paqësore. Kërkesat tona për liri e drejtësi njerëzore gjithnjë ranë në vesh të shurdhër dhe erdhi kjo ditë për të cilën ju pyesni: “pse jemi këtu me armë?”

Pas ekspozesë së gjatë që unë i bëra për të ardhjen deri te lufta dhe për ardhjen time dhe të shoqeve të mia në luftë, gazetari shikonte me habi dhe mos besim. Për ta bindur dhe për ti hequr çdo fije besimi ju drejtova dhe njëherë: Kjo që ju thashë është e vërteta, nëse vërtetë jeni të interesuar tis thoni popullit tuaj. Për sa i përket pjesëmarrjes time dhe femrave të tjera në këtë luftë, motivi është i njëjtë me atë të burrave. Në këtë rast lufte ne shqiptarët jemi motra dhe vëllezër për njeri-tjetrin, kjo është fija lidhëse, kjo dhe vetëm kjo është fija e vetme e idealit patriotik shqiptar.

Gjatë gjithë kësaj bisede gazetari arriti të kuptojë shumë gjëra për luftën, pjesëmarrjen time dhe të të gjitha femrave në këtë luftë, për historinë e popullit tonë dhe trajtimin e shqiptarëve nga ana e këtij shteti. Por, ajo që Ai dukej atij dhe shumë të huajve e pa kapshme, ishte dhe është dhe sot, se shkaktar i gjitha këtyre ngjarjeve ishte dhe është politika nacionaliste e maqedonasve, ishte dhe është politika e cila edhe sot në sy të botës flet në emër të demokracisë.”

Teuta Kamberi-Llalla, ish-ushtare në UÇK, brigada 112 “Mujdin Aliu”.

Sot profesoreshë e gjuhë-letërsisë shqipe në gjimnazin e Tetovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button