Isa Mustafa uron 8 Marsin

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e 8 Marsit, Ditës së Gruas, ka thënë se historia e Ditës së Gruas nuk njeh vetëm kërkesat e grave për të drejtat e tyre; të votës, qeverisjes, punës, arsimimit, për ndalimin e diskriminimit por edhe për kundërshtimin e tyre ndaj dhunës, luftës, urisë…

“Këso ishin edhe gratë kosovare të fundshekullit të njëzetë. U gjetën në radhët e para të protestave kundër dhunës e terrorit. U përplasën me makinerinë ushtarake e policore për të ruajtur dinjitetin kombëtar, për ta mbrojtur familjen dhe për ta fituar lirinë e vendit të tyre. Ishin luftëtare, heroina, dëshmore të kombit”, theksoi Mustafa.

Kryeministri tha se kërkesat janë të tilla edhe sot. “Në institucionet më të larta të vendit, bartëse të arsimit e edukimit, mjeke e afariste, police e pjesëtare të FSK-së, kultivuese të familjes e edukatore të fëmijëve. Meritojnë edhe më shumë. Kujdesin më të madh të shoqërisë”, shtoi ai.

Mustafa tha se shoqëritë e emancipuara cilësohen me pozitën sociale të gruas, me përfshirje të madhe të grave në të gjitha aktivitetet ekonomike e sociale.

“Vlerat e një shoqërie nuk maten me numra të veçuar, ato pasqyrohen përmes harmonisë. Do të punojmë së bashku të ndërtojmë vlerat tona”, tha në fund të mesazhit të tij, kryeministri Isa Mustafa.

Lajme të ngjashme

Back to top button