Policë gjermanë në kufirin Serbi-Hungari për të ndalur eksodin e kosovarëve

Mediat kosovare bëjnë me dije se me qëllim ndalimin e kalimit ilegal të shtetasve kosovarë jashtë vendit të tyre, janë shtuar patrullimet dhe përforcimet në kufi. 20 policë gjermanë dhe makina speciale, ndodhen në kufirin serb, ndërsa policia serbe ka shtuar patrullimet në zonën kufitare.

“Gazeta Express” thotë se kjo e ka detyruar Gjermaninë të përforcojë kufirin me më shumë policë. Ata janë të pajisur me automjete të posaçme dhe kamera termovizive, për të kapur nga distance të largëta çdo lëvizje të qytetarëve kosovarë drejt kufirit serb, prej ku kalojnë më pas drejt Hungarisë apo vendeve të tjera në përpjekje për të fituar azil në vendet e Bashkimit Europian.

Policët gjermanë janë pozicionuar afër fshatit kufitar Hajdukovo të Suboticës dhe po kryejnë patrullime. Ndërkaq autoritetet gjermane thonë se mbi 99 për qind e aplikimeve të kosovarëve për azil do të refuzohen. Prandaj, ata do të kthehen menjëherë, pasi të jetë shqyrtuar kërkesa e tyre. Në Gjermani po merren masa, që nisin nga kontrollet e forta e deri te nisma ligjore për klasifikimin e Kosovës si një “vend të sigurt origjine”. Sipas Ministrisë Federale të Punëve të Brendshme, në gjashtë javë, që nga fillimi i vitit kanë ardhur 18.000 kosovarë në Gjermani. Për shkak të dyndjes masive ka qenë e mundur që vetëm një pjesë e tyre të aplikojnë për azil.

Gjatë gjithë vitit të kaluar janë paraqitur vetëm rreth 7000 kërkesa për azil nga persona të ardhur nga Kosova. Sipas vlerësimeve nga mediat kosovare, çdo muaj largohen drejt Evropës Perëndimore rreth 20.000 vetë nga vendi me 1.8 milionë banorë. Kosova nuk ofron asnjë perspektivë: Rreth një e treta e popullsisë jeton me më pak se 1.42 euro në ditë, deri në 60 për qind e të rinjve janë të papunë. Ambasada gjermane në Prishtinë e ka paralajmëruar qeverinë federale nga rreziku i një “eksodi masiv”.

Lajme të ngjashme

Back to top button