Berisha: Greqia po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë

Kryeministri, Sali Berisha ka dënuar deklaratën e ministrisë së Jashtme greke lidhur me incidentet e ndodhura në Përmet. Berisha e ka cilësuar reagim të papranueshëm dhe absurd, ka theksuar se kjo është ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë.

“Kryeministri konsideron të papranueshme dhe ndërhyrje absurde në punët e brendshme të Shqipërisë deklaratën e djeshme të autoriteteve greke. Shqipëria ka të gjitha mundësitë dhe mjetet ligjore për garantimin e shtetit të së drejtës, veprimtarisë normale të institucioneve të vendit dhe atyre të huaja si dhe për t’iu përgjigjur shkelësve të rendit dhe provokimeve të çdo lloj”, tha zëdhënësja e Berishës.

Nga ana tjetër, Kryeministri, e ka cilësuar jo të denjë atë që ka ndodhur nga konflikti mes përmbarimit privat dhe besimtarëve. “Kryeministri vlerëson se zbatimi i vendimeve të gjykatave është themeli i funksionimit te shtetit ligjor por nga ana tjetër skenat e rrëmbimit të objekteve të shenjta nga përmbarimi privat gjatë ekzekutimit të vendimit gjyqësor të 11 viteve më parë, rikthyen për shqiptarët pamje të kohës së barbarisë hoxhiste mbi institucionet e kultit”, tha Erla Mëhilli.

Duke theksuar gjithashtu se, qëndrimet e djeshme të disa qytetarëve por dhe të ndonjë të kleriku ishin të gabuara. “Kryeministri vlerëson dialogun e sotëm midis autoriteteve të Bashkisë së Përmetit dhe atyre fetare dhe i ka kërkuar Kryetarit të Komitetit të Kulteve që së bashku me këto autoritete të bëjnë verifikimet e nevojshme dhe propozimet respektive për një zgjidhje përfundimtare jashtë të gjitha abuziviteteve dhe praktikave të dënueshme ateiste”, tha ajo.

Lajme të ngjashme

Back to top button